Në banesë prej 1 viti, Kushtetuesja shqyrton më 27 dhjetor çështjen e Berishës
Disa ditë më parë, Gjykata Kushtetuese interpretoi se masat e sigurisë ”detyrim paraqitjeje” dhe ”ndalim i daljes jashtë shtetit” nuk pengojnë punën e deputetit dhe mund të vendosen pa autorizim nga Kuvendi, duke rrëzuar pretendimet e ish-kryeministrit Sali Berisha. Për njërën nga kërkesat, gjykata pranoi se bllokimi i pasaportës ishte joproporcional. Më 27 dhjetor 2025, çështja e ”arrestit shtëpiak” do të shqyrohet nga Kolegji i Gjykatës Kushtetuese. Kështu Gjykata Kushtetuese ka vendosur të pranojë kërkesën e ish-kryeministrit Sali Berisha për përshpejtimin e procesit ndaj ankimimit që ai ka bërë për masën e ”arrestit të shtëpisë”.
Njoftimi
Kolegji i Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë, bazuar në nenin 21, pika 1, të ligjit nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, njofton se në datën 26.11.2024 ka marrë në shqyrtim paraprak kërkesën e paraqitur nga kërkuesi Sali Berisha me objekt:
”Shfuqizimin si të papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë të vendimit nr. 520, datë 30.12.2023 dhe vendimit nr. 521, datë 27.12.2023 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar Tiranë, të vendimit nr. 15, datë 25.01.2024 të Gjykatës së Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar Tiranë dhe vendimit nr. 00-2024-667 (94), datë 09.04.2024 të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë (njoftuar në datën 29.07.2024)”, lidhur me masën e arrestit “Arresti në shtëpi” dhe ka vendosur:
-kalimin e çështjes për shqyrtim në seancë plenare mbi bazë të dokumenteve (pa praninë e palëve), si dhe thirrjen si subjekt të interesuar në këtë proces të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, si edhe të Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
Gjithashtu, po në datën 26.11.2024 Mbledhja e Gjyqtarëve, pasi mori në shqyrtim kërkesën për “Përshpejtimin e gjykimit”, të paraqitur nga kërkuesi Sali Berisha në datën 25.11.2024, ka vendosur:
-pranimin e kërkesës për përshpejtimin e gjykimit, si dhe reduktimin e afateve të palëve për paraqitjen e parashtrimeve dhe qëndrimeve të tyre, si dhe caktimin e seancë plenare mbi bazë të dokumenteve në datën 27.12.2024, ora 10:00.