“Në dy vite, 2 mijë banorë do të punësohen në kultivimin e luleshtrydheve‏”

 

Kryetari i Kuvendit, z. Ilir Meta vizitoi sot serat me luleshtrydhe në Grabjan të Lushnjës, një investim i suksesshëm shqiptar që asistohet nga ekspertë italianë në këtë fushë.

Në këtë vizitë, Kryetari i Kuvendit shoqërohej nga Ministri i Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave, z. Edmond Panariti, dhe dy deputetët, z. Erion Braçe dhe z. Petrit Vasili.

Z. Ilir Meta u njoh më nga afër me prodhimin e bollshëm në sera dhe me kushtet e punës së punëtorëve.

Në fjalën e tij përshëndetëse, Kryetari i Kuvendit vlerësoi rezultatet e arritura nga kompania “Alba Fragola” dhe suksesin e arritur prej saj edhe në tregun evropian.

“Jemi shumë të kënaqur që eksperimenti prej 5 hektarësh i këtij investimi të standardeve më të larta evropiane për kultivimin e luleshtrydhes përfundoi me sukses. I vetmi problem është se kërkesa është e jashtëzakonshme, sidomos nga tregjet evropiane, ku tashmë ka filluar eksporti i ‘Alba Fragolës’, dhe sfida tashmë është pas këtij suksesi, realizimi i investimit që ka “Alba Fragola” në të paktën 200 hektarë të tjerë brenda dy viteve të ardhshme. Dhe jo vetëm kaq, por edhe organizimi i bashkëpunimit me komunitetin këtu dhe me të gjithë fermerët, të cilët e shohin dhe e prekin suksesin e rritjes dhe të kultivimit të luleshtrydhes në këtë mikroklimë të shkëlqyer në mënyrë që edhe ata të kultivojnë këtë tip luleshtrydhe, pasi fitimet e tyre do të jenë të sigurta dhe do të jenë shumë më të larta dhe është pikërisht ‘Alba Fragola’, kjo kompani e cila garanton tregun ndërkombëtar mjaft të favorshëm, por edhe tregun vendas për të gjithë fermerët”, tha z. Meta.

Kryetari i Kuvendit u shpreh se brenda dy viteve priten që të gjenerohen dhe dy mijë vende të reja pune për banorët e kësaj zone. Z. Meta tha se Shqipëria mund të arrijë të jetë një faktor i rëndësishëm në tregjet evropiane në tregun e luleshtrydhes duke realizuar fitime shumë më të larta për fermerët.

“Pritet që në dy vite, të paktën 2 mijë banorë të zonës do të punësohen në kultivimin e luleshtrydheve. Dhe unë besoj se kjo kulturë përfaqëson një të ardhme të shkëlqyer për zhvillimin e bujqësisë sonë dhe për rritjen dhe shumëfishimin e eksporteve tona, pasi duke shfrytëzuar këtë mikroklimë që ka vendi ynë, si një vend bregdetar, dhe faktin që luleshtrydhja nuk mund të kultivohet kudo, ka disa kërkesa strikte specifike, ne mund të arrijmë që të jemi një faktor i rëndësishëm në tregjet evropiane, në tregun e luleshtrydhes duke realizuar në radhë të parë fitime shumë më të larta për fermerët tanë në raport me kulturat e deritanishme për të cilat ata investojnë dhe njëkohësisht duke garantuar edhe një punësim shumë më të madh dhe njëkohësisht edhe paga shumë më të mira për ta”, tha z. Meta.

Në fjalën e tij, Kryetari i Kuvendit tha se nuk është e rëndësishme thjesht të prodhohet, por e rëndësishme është që të jetë e sigurt edhe shitja e prodhimeve.

“Dua të përshëndes faktin që ekspertë nga më të mirët italianë janë angazhuar në këtë proces, sepse sikurse me të drejtë edhe Ministri Panariti e ka theksuar, dhe unë do të doja ta nënvizoja, nuk është e rëndësishme thjesht të prodhojmë dhe nuk është e rëndësishme thjesht të punojmë, por e rëndësishme është të jemi të sigurt që punojmë dhe prodhojmë për të shitur në mënyrë të suksesshme, për të realizuar në mënyrën më të leverdishme mundin dhe djersën e fermerëve dhe të shqiptarëve. Dhe për këtë, kemi nevojë për ekspertizë më të kualifikuar edhe ndërkombëtare, sidomos për njohjen e tregut ndërkombëtar për të patur siguri në shitjen e këtyre prodhimeve”, tha z. Meta duke shtuar se është e rëndësishme përkrahja e iniciativave të tilla si kjo ajo e “Alba Fragolës”, pasi sjellin një model krejt të ri nga deri më tani për zhvillimin e bujqësisë, jo vetëm për investitorët që të kenë fitimet e tyre të sigurta dhe të suksesshme, por edhe një mundësi për të gjithë komunitetin që të bashkëpunojë pasi do ta ketë tregun të sigurt dhe do të kenë mundësi që me punë dhe me djersën e tyre të fitojnë shumë më tepër se sa deri më tani me kulturat e tjera.

Z. Meta shprehu bindjen se bujqësia shqiptare do të rilindë dhe do të shfrytëzojë në maksimum kapacitet e saj ende të fjetura.

“Kemi nevojë për të shumëfishuar modele të tilla dhe për t’i mbështetur ato. Njëkohësisht kemi nevojë për t’iu drejtuar të gjithë investitorëve vendas të cilët deri më tani kanë investuar në pasuri të patundshme, në ndërtim, dhe në aktivitete të tjera të cilat i kanë humbur avantazhet e dikurshme, që të investojnë në bujqësi, pasi investimi në bujqësi është një investim i sigurt, është në investim i suksesshëm, është një investim që kthehet shumë shpejt dhe është një investim afatgjatë dhe i qëndrueshëm”, tha z. Meta.

Kryetari i Kuvendit garantoi për mbështetjen e vazhdueshme të Qeverisë për sektorin e bujqësisë , ç’ka do të sjellë dhe përmbysjen e raportit import- eksport në fushën e bujqësisë.

“Unë besoj se qeveria, Ministria e Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave, padyshim do të arrijnë të promovojnë edhe më shumë modele të tilla, të krijojnë lehtësitë e duhura për të gjithë këta investitorë në mënyrë që ne shumë shpejt t’i përmbysin raportet import- eksport në fushën e bujqësisë dhe në fushën e ushqimit. Pasi më në fund, prodhimet e Shqipërisë janë duke u mirëpritur edhe nga tregjet më të favorshme dhe më të shtrenjta në Europë. Tani është koha për t’i shumëfishuar këto modele suksese, është koha për të maksimalizuar punën dhe djersën e fermerëve të Myzeqesë dhe të gjithë shqiptarëve dhe kjo ka nevojë për modele të tilla, ka nevojë për organizimeve të tilla për t’i dhënë fund spontanitetit dhe fragmentimit të deritanishëm. Unë besoj se jemi në rrugën duhur për të rilindur bujqësinë e vendit tonë, për të rilindur blegtorinë e vendit tonë, për të rilindur industrinë ushqimore, në mënyrë që bujqësia dhe ushqimi të jenë faktor shumë të rëndësishëm që të udhëheqin rritjen e ekonomike të vendit dhe të rrisin mirëqenien e të gjithë fermerëve, por edhe të qytetarëve tanë”, tha z. Meta.

Kryetari i Kuvendit falënderoi edhe dy deputetët, z. Erion Braçe dhe z. Petrit Vasili për vëmendjen që i kushtojnë mbështetjes së aktiviteteve të tilla në këtë zonë.

“Padyshim që i takon Myzeqesë të ketë lidershipin e transformimit në të gjithë ultësirën perëndimore dhe në të gjithë vendin, ashtu sikurse me të drejtë e tha Ministri Panariti, duhet njëkohësisht t’i kushtojmë vëmendje edhe zonave më të pafavorizuara që ndodhen më në thellësi të vendit, larg tregjeve kryesore. Pasi është e vërtetë se atje nuk mund të mbillen luleshtrydhe, por ne e dimë se sa kërkohen gështenjat tona jashtë vendit dhe është e vështirë të gjesh gështenja të vendit në Shqipëri, pasi mundësitë dhe resurset janë të panumërta. Ashtu sikurse e dimë shumë mirë se të gjitha ato aktivitete të cilat janë të bazuara në mbjelljen e atyre kulturave të cilat kërkohen nga tregjet e huaja ecin me një sukses të jashtëzakonshëm, qoftë në Korçë, qoftë në Dibër dhe në shumë zona të tjera të thella ose ndryshe mund të konsideroheshin edhe të pafavorizuara. Të gjithë bashkë jam i sigurt se do të realizojmë një transformim të jashtëzakonshëm të bujqësisë në vendin tonë. Edhe njëherë tjetër dua të falënderoj këta investitorë kaq seriozë”, theksoi z. Ilir Meta, Kryetar i Kuvendit të Shqipërisë.

Ministri i Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave, Edmond Panariti u shpreh se aktualisht janë investuar 1.5 milionë euro dhe se brenda dy viteve ky investim do të dyfishohet.

“Aktualisht sipërmarrja punëson 40 veta, në fund të këtij viti, numri i të punuarave do të shkojnë në 100 veta. Janë 1.5 milion euro të investuara deri tani, por në dy vitet e ardhshme masa e financimit do të arrijë edhe në 3 milion euro më tepër. Ambicia është e madhe, në krye të dy viteve, rreth 200 hektar do të jenë tashmë të kultivuara me këtë teknologji të lartë ku prodhohet një luleshtrydhe cilësore e cila konkurron denjësisht në të gjitha tregjeve evropiane. Në fund të investimit parashikohet që vetëm nga kjo sipërmarrje, eksporti të arrijë vlerën në 10 milion eurove, që do të jetë një arritje shumë e madhe për bujqësinë shqiptare”, tha z. Panariti.

Ministri u shpreh se tashmë do të marrë një vëmendje të veçantë edhe zhvillimi i bujqësisë në zonat kodrinore.

“Dihet që bujqësia në Ultësirës Perëndimore tashmë e ka marrë hovin e saj, por vëmendja jonë e madhe duke filluar që nga java që vjen, do të jetë edhe në bujqësinë e zonave kodrinore e malore. Ne përgatitemi, duke filluar që nga java që vjen, të fillojmë procesin e shpërndarjes së grandeve në zonat e pa dizavantazhuara, e dizavantazhuara të veriut, kryesisht në rajonin dhe qarkun e Kukësit, në Malësinë e Madhe, në zonat e Elbasanit, në Qarkun e Beratit ku në vëmendjen tonë të veçantë do të jenë fermerët e këtyre zonave të cilat do të përfitojnë nga 6.1 milion euro grande si rezultat i një projekti i cili tashmë është në fazën e mbylljes. Ne do të mbështesim fermerët për iniciativat e tyre të guximshme për të prodhuar, për të tregtuar, dhe sigurisht për të rritur të ardhurat e tyre. Në këto zona ne do të mbështesim natyrisht ato kultura të cilat kanë avantazhe konkurruese, krahasuese”, tha z. Panariti duke garantuar angazhimin e institucioneve shtetërore për të nxitur agro-turizmin në zona të cilat mbartin potenciale të jashtëzakonshme në burime natyrore të pa krahasueshme.

SHKARKO APP