Në janar shkurtohet 20% e administratës, shkrihet Policia Bashkiake
Efektet pozitive të reformës administrative territoriale do të fillojnë të ndihen në buxhet nga janari.
Kreu i Agjencisë për Zbatimin e Reformës Territoriale, Artan Shkëmbi, konfirmon për Ora News shkurtimin me 20% të njësive administrative, para të cilat do të shkojnë për investime ne 61 bashkitë e reja
“Ky shkurtim ka ndodhur në shumicën e njësive dhe vazhdon të ndodhë edhe te të tjerat.
Atje ku ka këshill komune nuk mund të ketë sekretarë të këshillit të komunës, dhe atje ku nuk ka kryetarë komune, nuk mund të ketë shoferë të kryetarit të komunës.
Në fund të këtij procesi që nuk mbaron tani, se në janar do kemi struktura të reja për të gjitha bashkitë, në total ne mund të themi që mund të shkojë një shkurtim rreth 20% të personelit të administratës së qeverisjes vendore”, shprehet Shkëmbi.
Nga janari do të shuhet edhe policia bashkiake, kompetencat e të cilës do t’i marrin unfiormat e rendit.
“Edhe nga përvoja ime si kryetar bashkie, policia bashkiake e kishte të pamundur të kryente funksionet e veta sepse nuk kishte autoritetin e nevojshëm mes komunitetit dhe vendoste gjoba por këto gjoba nuk arrinte dot t’i mblidhte”, thotë ai.
Shkëmbi i përgjigjet edhe kritikave se nga ndarja e buxhetit prej 20 milionë dollarësh, kanë përfituar më së tepërmi bashkitë e majta:
“Bashkia e Pogradecit ka më shumë fond se bashkia e Maliqit dhe e Korçës, ndërsa bashkia e Maliqit ka më shumë fond se sa bashkia e Korçës.
Kjo përmbys faktin që mund të jetë argumentuar politikisht”.