Në mëngjes e puthi, në darkë e vrau. 18 gra të vrara në Shqipëri
Nga: Redjon Shtylla
16 ditët e aktivizmit kundër dhunës me bazë gjinore, si një fushatë globale që organizohet çdo vit, po njëlloset nga shqiptarët. Në një kohë që në media flitet për barazi dhe mbrojtje të gruas, një tjetër nënë mbeti viktimë e dhunës në familje. Mëngjesin e djeshëm, Festimi kishte publikuar në rrjetin social Facebook një foto me Elonën duke u përqafuar, por në mbrëmje 40-vjeçari e mbyti me duar duke i marrë jetën. Kjo ngjarje është sa e frikshme edhe pistë për të analizuar tipologjinë e të tillë bashkëshortëve.
40-vjeçari është arrestuar nga policia greke, pasi ka qenë vetë ai që lajmëroi autoritetet. Çifti me origjinë nga Elbasani jetonin në Greqi prej 3 vitesh dhe punonin në bujqësi. Vëllai i viktimës ka folur për mediat greke, duke thënë se çifti i bashkëshortëve nuk kishin probleme.
”Nuk kanë patur probleme, kanë shkuar bashkë në punë. Dje shkuam në lokal për të pirë çaj dhe në orën 08:00-08:30 ai u largua dhe shkoi në shtëpi të gatuante për fëmijët. Fëmijët flinin në dhomën ngjitur, nuk kuptuan asgjë. Kishin 10 vjet që ishin të martuar, ishin njerëz të qetë. Fëmijët i kemi marrë ne, i kemi sjellë këtu”.
Pyetjet që lindin janë të shumta dhe policët po përpiqen t’i zgjidhin, pasi duket qartë se diçka ka ndodhur në orët e fundit të ditës mes çiftit.
Elona fatkeqësisht nuk është viktima e parë shqiptare, pasi në Shqipëri dhuna ndaj gruas është e frikshme dhe nuk po mbaron. Viti 2021 në Shqipëri po mbyllet me 18 vajza e gra të vrara. Vrasja e qëllimshme nga burrat apo partnerët ndodh sepse ato janë gra dhe shihen si të pambrojtura dhe pronë e tyre.
1 në 2 gra përjeton njëlloj dhunë gjatë jetës së saj, përfshirë dhunën në familje ose atë seksuale. 26% e femrave në Shqipëri të moshave 18-74 vjeç besojnë se është turp të flasësh apo të denoncosh dhunën seksuale. Shifrat e grave që humbin jetën nga dhuna e burrave janë kambanë alarmi për shoqërinë dhe institucionet përgjegjëse.
Sistemi i Drejtësisë është i kalbur dhe Policia është e paaftë për të mbrojtur të gjitha gratë me udhër mbrojtje, pasi urdhërat e mbrojtjes jepen, por veç me letër pasi zbatimi në terren nuk ndodh kurrë. Për vite me rradhë nuk është arritur që të shpëtojmë gratë në krahët vrasës të bashkëshortëve, por kjo duhet të ndalojë, përpara se krimi të mos ndalojë dhe femrat të shuhen në vend.