Në Presidencë promovohet ekspozita me piktura e Bardha Alimetat, Meta: Të fuqizojmë rolin e gruas në shoqëri

Në kuadër të nismës “Artistët në Presidencë”, në Preisdencë u promovua ekspozita me piktura e aktivistes së shoqërisë civile dhe artistes pamore nga Librazhdi, Bardha Alimeta, e cila drejton shoqatën “Një grua ndryshe”. Pas fjalëve prezantuese të gazetarit Rexhep Polisi, të piktorit Buron Kaceli, Edlira Çepanit-Drejtores Ekzekutive të “Rrjeti Barazi në Vendimmarrje” dhe historianes së artit, Kasia Minarolli, Presidenti Ilir Meta u shpreh se Bardha Alimeta është një grua artiste që jeton e punon në Librazhd dhe që nëpërmjet artit të saj shpreh shpirtin e brishtë, por të fortë të gruas shqiptare, që ngrihet mbi çdo mendësi e paragjykim. ”Ajo mes shumë përpjekjesh, sfidash e barrierash, na jep shembullin më të mirë se puna, pasioni, përkushtimi dhe dashuria për gjërat që i do fort, bëjnë të mundur çdo sukses”,-tha Meta.

Fjala e plotë

Jam shumë i lumtur që jemi sot, së bashku, në këtë ditë të bukur pranvere, për të folur për një zonje apo për “Një grua ndryshe”, për zonjën Bardha Alimeta. Duke folur për Bardhën, flasim dhe i shprehim mirënjohjen tonë mijëra grave të tjera shqiptare, që ashtu si ajo, i përkushtohen çështjes së mbështetjes dhe fuqizimit të grave e vajzave shqiptare dhe luftojnë fort kundër paragjykimeve e pengesave që hasin në jetën e tyre të përditëshme. Përtej arritjeve të jashtëzakonshme të shumë grave e vajzave në jetën politike, ekonomike e sociale të vendit, përsëri kemi raste të shumta, që tregojnë sesa e vështirë është të jesh grua, vajzë, nënë, aktiviste shoqërore, artiste apo shkencëtare.

Sfidat e grave janë të shumta, nga vështirësitë e mëdha në tregun e punës në pabarazinë në paga, nga dhuna në familje në paragjykimet shoqërore, nga diskriminimi gjinor në mungesën e barazisë në pjesëmarrjen dhe përfaqësimin politik. Këto problematika bëhen akoma më të mprehta në zonat rurale apo në qytetet modestentë Shqipërisë. Duhet kurajo e vendosmëri t’i sfidosh dhe të përballesh me to. Bardha Alimeta e ka bërë me shumë sukses këtë në qytetin ku është lindur dhe ku jeton, në Librazhd. Ajo është një grua e forte, që mbron të drejtat e saj dhe të grave e vajzave të tjera.

Me shoqatën e saj ‘Një grua ndryshe’ ka bërë shumë për problemet sociale të grave në këtë qytet, duke i nxitur ato të kenë besim në vetvete dhe të luftojnë fort për atë, që duan të realizojnë në jetën e tyre. Por, kemi edhe një anë tjetër të Bardhës, që është shpirti i saj prej artisti, që ajo e shpreh nëpërmjet poezisë, prozës dhe pikturës. Gratë dhe vajzat janë kthyer në burim frymëzimi për librat e saj, si me sfidat dhe vuajtjet, ashtu edhe me arritjet e sukseset e tyre. Ndërkohë që piktura e ka bërë të ndihet artiste. Tablotë e saj, që i kemi të ekspozuara sot, në kopshtin e bukur të Institucionit të Presidentit, janë të mbushura me ngjyra, ku dominojnë ato të pranverës.

Bardha Alimeta është një grua artiste që jeton e punon në Librazhd dhe që nëpërmjet artit të saj shpreh shpirtin e brishtë, por të fortë të gruas shqiptare, që ngrihet mbi çdo mendësi e paragjykim. Ajo mes shumë përpjekjesh, sfidash e barrierash, na jep shembullin më të mirë se puna, pasioni, përkushtimi dhe dashuria për gjërat që i do fort, bëjnë të mundur çdo sukses.

Është kënaqësi për mua të promovoj punën e zonjës Bardha Alimeta si artiste dhe si aktiviste dhe të mbyll fjalën time përshëndetëse me një thënie të Shenjtores sonë të madhe Nënë Tereza, që i shkon shumë për shtat Bardhës dhe të gjitha grave e vajzave që luftojnë për të drejtat e tyre: Unë e vetme nuk mund të ndryshoj botën, por mund të hedh një gur në ujë, për të krijuar shumë valë.

SHKARKO APP