Në protestë me vajzën 5-vjeçare, djali ish-kryeministrit: Dua të ikë Lleshaj. Më thanë “do vijë shefi…”
Djali i ish-kryeministrit Aleksandër Meksi, Redon Meksi ishte një nga mijëra qytetarë që dolën dje në protestë pas vrasjes së 25-vjeçarit Klodian Rasha nga Policia e Shtetit. Ai thotë se ka qenë në protestë bashkë me vajzën e tij 5-vjeçare, e cila po dje kishte datëlindjen. Për ”Abc News”, Meksi zbuloi se dy efektivë policie i kanë kërkuar të largohet pasi nuk lejohet, por shton se ai ka qëndruar me vajzën dhe të shoqen, ndërkohë që kishte vendosur edhe maskë.
”Kam marrë vajzën 5-vjeç dhe kam vënë edhe maskën për të shmangur policinë. Dy efektivë policie më kërkuan të largohesha nga aty. E pyeta pse nuk lejohet. Jam unë, vajza ime dhe ime shoqe. Ma thuaj se unë iki dhe largohem. Më kërcënuan më thanë se do më shoqërojnë. Unë isha në të drejtën time. Ata flisnin në celularë. I thoshin që ky nuk do të largohet, çfarë të bëjmë. Më thonin do të shoqërojmë, do të vijë shefi tani vetë këtu. Në fund u largova vetë se edhe vajza u mërzit. Vajza ka qenë edhe tek protesta e studentëve”, u shpreh Meksi.
Meksi thekson se qëllimi është dorëheqja e ministrit të Brendshëm, Sandër Lleshaj, duke e konsideruar këtë një fitore për qytetarët shqiptarë. Ai ironizoi debatin në rrjet, duke deklaruar se ata që qanin vrasjen në Amerikë, sot ankohen për rrëzimin e pemës së Krishtlindjeve. Meksi u shpreh se do të jetë edhe sot në protestë edhe në qoftë se nuk do të ketë pjesëmarrje masive ashtu si një ditë më parë.
”Qëllimi për mua është të japë dorëheqjen ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj. Kjo do të ishte një fitore e qytetarëve shqiptarë. Ata që ankoheshin për vrasjen në Amerikë sot qajnë një pemë të rrëzuar. Qëllimi i protestës ky është, që ministri të shkarkohet. Njerëzit nuk kanë më besim. Ngritja dhe arritja e qëllimit me protesta do i çonte njerëzve të kërkojnë të drejtën e tyre më shumë. Sa herë ka pasur dhunë nga policia, Lleshaj ka dalë për t’i mbrojtur me zell. Ai është një person që shkel ligjin. Do jem sot në protestë edhe vetëm nëse nuk organizohen të tjerët”, deklaroi ai.