”Në zbulim të thesareve të Shqipërisë”, Rama: Dokumentari premierë në kanalin britanik Channel 4
”Në zbulim të thesareve të Shqipërisë” titullohet dokumentari i rradhës i realizuar nga Bettany Hughes, që do të shfaqet këtë të shtunë në premierë në kanalin televiziv britanik Channel 4. Lajmi u bë i ditur nga kryeministri Edi Rama në një postim në rrjetet sociale.
“Pas suksesit të vitit të kaluar, një tjetër dokumentar promovues për Shqipërinë turistike nga profesoresha Bettany Hughes, rrëfimtare e vendit tonë jo vetëm përmes peizazheve dhe të dukshmes, por duke i qëmtuar shpirtin, historinë dhe duke i prekur mikpritjen”, shkruan Rama.
Kreu i qeverisë tha se dokumentari do të transmetohet këtë të shtunë në orën 19:00, premierë në Channel 4. Edhe ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro ndau në rrjetet sociale lajmin për transmetimin e këtij dokumentari në kanalin britanik.
Vitin e kaluar Hughes realizoi dokumentarin “Mrekullitë e Shqipërisë”, që u transmetua gjithashtu në kanalin Channel 4. Në këtë dokumentar Hughes solli bukuritë e Shqipërisë, që nga qytetet mahnitëse romake, tek arkeologjia e Mesjetës së Hershme, nga xhevahiret e qytetërimit osman, deri te bunkerët brutalë komunistë.
Shqipëria është e pasur me bukuri natyrore, si peizazhet malore dhe bregdeti mahnitës, të cilat i gjejmë shpesh edhe në guidat e revistat më prestigjioze në botë. Por, përveç këtyre, një vend të veçantë po zë gjithnjë e më shumë turizmi kulturor, ku muzetë dhe kalatë e shumta anembanë Shqipërisë po tërheqin një numër përherë e më të madh vizitorësh vendas, por edhe të huaj.