Negociata të fshehta për detin? Paskal Milo: Grupi negociator ka mbaruar punë. Marrëveshja është gati, vetëm një anëtar nuk e ka firmosur
Ish-ministri i Jashtëm, Paskal Milo, komentoi çështjen e shumëdebatuar të ditëve të fundit, atë të kufirit detar me Greqinë, teksa kjo e fundit ka deklaruar se do të kërkojë shtrirje me 12 milje në ujërat shqiptare.
I ftuar në rubrikën “Opinion”, në News24, historiani Milo vlerësoi hapin e Presidentit Ilir Meta për të kërkuar informacion zyrtar nga kryeministri Edi Rama lidhur me këtë çështje dhe me ç’po ndodh me negociatat mes dy qeverive.
“Më duket legjitime, kushtetuese, është në të drejtën e Kryetarit të Shtetit që të kërkojë informacion për një çështje kaq delikate, siç është marrëveshja për kufirin detar. Aq më tepër kur Presidenti i Republikës ka dhënë edhe autorizimin për fillimin e negociatave për grupin negociator të Greqisë. Pra, ai është i përfshirë në proces. Është në të drejtën e tij të kërkojë nëse ka zhvillime, pasi procesi ka mbetur stojk, për shkak të qeverisë së re në Greqi. Nuk është pak gjë mendoj edhe fakti që është marrë vesh që ka një përpjekje që ministri i Jashtëm grek të vijë në Tiranë për vizitë. Duhet informacion dhe transparencë më e madhe”, tha Milo.
Më tej, ish-ministri komentoi edhe deklaratat e kryeministrit grek për zgjerimin e vendit të tij në 12 milje, duke thënë se kjo është një e drejtë ndërkombëtare e Greqisë, e Shqipërisë, apo çdo shteti tjetër ndërkombëtar. Por, sipas Milos, problemi i kësaj deklarate është nëse ajo u bë në mënyrë të rastësishme apo ishte përfundim i një negocimi që shqiptarët nuk e dinë.
“Deklarata u bë në një kontekst më të gjerë. Ajo që tha kryeministri grek nuk është se është ndonjë sakrilegj, sepse të drejtën e Greqisë për të kërkuar 12 milje kufirin detar është një e drejtë që rrjedh nga Konventa ndërkombëtare, siç e ka edhe Shqipëria apo çdo vend tjetër bregdetar. Pra, jemi brenda parimit dhe këtu nuk ka asgjë të keqe të kërkosh shtrirje deri në 12 milje. Problemi është përtej kësaj deklarate, nëse ishte e rastësishme apo përfundim i një negocimi që shqiptarët nuk e dinë. Kryeministri shqiptar e deklaroi hapur që nuk ka marrëveshje apo negociata tani për tani. Unë dua ta besoj se nuk ka, se ky proces nuk mund të jetë i fshehtë.
Mesa jam në dijeni grupi negociator ka mbaruar punë dhe pala negociatore shqiptare ka projektuar, ka një projekt marrëveshjeje, që e ka depozituar, që është nënshkruar nga të gjithë anëtarët e grupit negociator shqiptar, me përjashtim të njërit. Për rrjedhojë, unë sot kam parë një shkrim të një anëtari të grupit negociator, që ka deklaruar se pretendimi i Greqisë për të shtrirë ujërat territoriale të saj në 12 milje nuk prek kufirin shqiptar. Tani jemi në dilemën sa informacion i saktë është ky që qarkullon”, theksoi ish-ministri i Jashtëm.