Negociatat, Mediu: Sa afër aq dhe larg. PR këmbëngul tek Duka në Durrës, PD i jep Beratin
“Jemi sa afër aq edhe larg me PD.” Ky është përkufizimi që kryetari i Partisë Republikane i bëri sot arritjes së nënshkrimit të një marrëveshjeje koalicioni për zgjedhjet vendore të 21 qershorit.
Por ndërkohë që negociatat mes dy partive vijojnë, dhe PR këmbëngul tek figura e Agron Dukës, si përfaqësuese e së djathtës në Durrës, PD zgjedh Kasem Mahmutajn, (kreun e PR-së së Beratit), si kandidat për kryetar të bashkisë së qytetit të njëmbinjëdritareve.
Në një prononcim për Ora News online Fatmir Mediu deklaron: “Propozimi për Mahmutajn është i PD-së të cilët në negociata kanë deklaruar se në tre bashki Berat, Librazhd dhe Tepelenë drejtues të PR-së kanë mbështetjen e PD-së.
PR nuk ka marrëveshje me PD-në për shkak të problemeve që i kemi bërë publike dhe pastaj shtoj qëndrimin tek kuvendi se jemi sa afër dhe larg dhe sondazhi i fundit e nxjerr z Duka fitues përballë PD dhe PS si kandidat i PR-së”
Paraditen e sotme nga kryesia e kuvendit Mediu tha se partia që ai drejton nuk ka vënë asnjë kusht as për Durrësin dhe as për ndonjë bashki tjetër por sipas sondazheve të zhvilluar, Agron Duka është kandidati më i privilegjuar në Durrës.
Kreu i republikanëve shtoi se do të jetë asambleje e kësaj partie e cila do të vendose se si do të dalin në zgjedhje, të vetëm apo në koalicion me Partinë Demokratike.
Fatmir Mediu: Ne kemi pasur bisedime të vazhdueshme. Dje kam pasur një takim me zotin Basha për të diskutuar për marrëveshjet politike mes PR dhe PD. Ajo që ngelet një temë e hapur për t’u diskutuar është padyshim çështja e Durrësit. PR nëpërmjet një kompanie ka bërë një sondazh të fundit edhe kandidtimin e zotit Duka si kandidat i PR përballë dy kanidatëve të PD dhe një PS dhe rezulton se Duka është fitues. Këtë ja kam bërë prezent edhe kreut të PD. Mendoj që është e rëndësishme mos të hyjmë në aventura, por e rëndësishme është që të fitojmë bashkinë Durrës. Ne duhet të gjejmë kandidatë fitues, që bashkon qytetarët, qoftë ky edhe i pavarur dhe jo më i koalicioneve. Thelbin në një garë është fitorja dhe thelbi në një partneritet është respektimi reciprok i njëri-tjetrit.
Nuk kemi vënë asnjë kusht për asnjë emër në asnjë bashki, kemi dashur që të fitojmë, ky është i vetmi kusht. Ne do ta diskutojmë me zotin Duka kandidimin i tij si kandidat i PR, vendimi i mbetet strukturave dhe asamblese së PR dhe vetë zoti Duka. Nëse do të kandidojë zoti Duka ne do të kemi garën tonë elektorale, por do të shikojmë edhe marrëdhëniet që janë në dobi të shqiptarëve. Nuk ka ende asnjë vendim zyrtar. Kemi pritur një kandidaturë nga PD që ta vlerësojmë për të parë edhe kapacitetet elektorale, por nuk kemi kandidat tjetër. Jemi sa afër aq edhe larg me PD.