Negociatat për zgjidhjen e ngërçit, Kukan takon drejtuesit e politikës
Gjatë ditë së sotme pritet vendoset për zgjidhjen e ngërçit politik në vend. Mbërritja në Tiranë e eurodeputetit, Eduart Kukan dhe takimet e sotme të tij me kryeministrin Edi Rama, liderin e opozitës Lulzim Basha dhe kreun e Kuvendit, Ilir Meta pritet të finalizojnë përpjekjet përfundimtare të Parlamentit Europian për të gjetur një marrëveshje mes palëve, e për ta kthyer opozitën në Kuvend. Pasi është takuar me kreun e PD-së në mëngjes, rreth mesditës Kukan është rikthyer sërish në zyrën e kreut të opozitës, për të vijuar negociatat. Fakti që zoti Kukan është rikthyer në selinë blu, pas takimit që zhvilloi rreth orës 08:00, bën të kuptohet se palët ende nuk kanë arritur një marrëveshje.
Eurodeputeti Eduard Kukan, në vazhdim të përpjekjes që reporterët e BE-së po bëjnë për të pajtuar palët, zhvilloi sot takime të njëpasnjëshme në Tiranë me kryeministrin Rama, kreun e Kuvendit Ilir Meta dhe liderin e opozitës, Lulzim Basha. Në përfundim të takimit me zotin Basha, eurodeputeti Kukan theksoi rëndësinë e rivendosjes së dialogut politik në vend për të ecur përpara në rrugëtimin drejt BE-së. “Kam ardhur të vijoj punën e nisur nga kolegu im Flenkeshtein, për të vendosur dialogun politik që është shumë i rëndësishëm për të zhvilluar një politikë evropianë të suksesshme.”- deklaroi eurodeputeti.
Meta: Janë plotësuar te gjitha kërkesat e opozitës
Kryeparlamentari Ilir Meta konsideron se kërkesat e opozitës për t’i dhënë fund bojkotit parlamentar janë plotësuar dhe tashmë i takon PD-së dhe aleatëve të saj për të vendosur lidhur me rikthimin e tyre në Kuvend. Në përfundim të takimit me eurodeputetin Eduard Kukan, kreu i Kuvendit tha se shpreson që opozita të hyjë në Kuvend përpara Krishtlindjeve. “Janë plotësuar të gjitha kërkesat kryesore të opozitës. Çdo kërkesë e cila synon një funksionim më demokratik, më transparent të kuvendit ka qenë e mirëpritur dhe ne jemi të vendosur për transparencë dhe gjithëpërfshirje. Nuk mund të marr përsipër të flas në emër të opozitës, megjithatë opozita është e mirëpritur për të vendosur rolin e saj në parlament dhe unë shpresoj që kjo të ndodhtë përpara Krishtlindjeve”- deklaroi Meta.
I pyetur nëse deputetët opozitarë rrezikojnë djegien e mandateve në rast të mosparaqitje së tyre në seancën e fundit të këtij viti, Meta u përgjigj: “Nuk është momenti të flasim për djegie mandatesh. Duhet të ndajmë politikën nga fryma e bojkotit”.
Seanca e së mërkurës ku pritet prania e opozitës në sallë pas një bojkoti 6-mujor, mbyll edhe këtë sesion parlamentar për të rinisur javën e tretë të janarit të 2015. Madje pas kthimit në Gjermani, eurodeputeti Knut Fleckenstein shkroi në “Facebook” se kolegu i tij Eduard Kukan do t’i përmbyllë me sukses bisedimet. Marrëveshja midis palëve, me garancinë e ndërkombëtarëve për zbatim angazhon palët në procesin e integrimit dhe hartimin e një drafti për dekriminalizimin e parlamentit. I pari që mbërriti në Tiranë javën e kaluar ishte eurodeputeti Knut Fleckenstein, i cili u takua me kryeministrin Rama, kryeparlamentarin Meta dhe kreu e PD-së, Lulzim Basha. Reporteri Fleckenstein u shpreh optimist për zgjidhjen e krizës politike dhe kthimin e opozitës në datën 24 dhjetor në Kuvend.