Nën forca të rrepta sigurie, anija “Libra” sjell në Shëngjin 8 emigrantë të tjerë nga Italia
Mëngjesin e sotëm mbërritën në portin e Shëngjinit tetë emigrantët të cilët u nisën nga Italia tre ditë më parë.
Tashmë gjashtë emigrantët, me origjinë nga Egjipti dhe dy nga Bangladeshi, kanë zbritur nga anija nën masa të rrepta sigurie.
Ky është grupi i dytë i emigrantëve që mbërrijnë në vendin tonë, pavarësisht vendimit të Gjykatës së Romës, që detyroi Italinë të kthejë mbrapsht 12 emigrantët e parë.
Rreth orës 08:00, anija “Libra” u ankorua në portin e Shëngjinit dhe 8 emigrantët janë vendosur në qendrën pritëse ku do t’u nënshtrohen procedurave të verifikimit dhe kontrollit shëndetësor dhe më pas do të transferohen në kampin e Gjadrit. Anija u nis ditën e mërkure nga brigjet e Lampedusës dhe mbërriti këtë mëngjes në Shëngjin.