Nënkryetari i Kuvendit, Agron Gjekmarkaj pritet nga Papa Françesku: Ati i Shenjtë tha ”E dua Shqipërinë, lutem për të”
Nënkryetari i Kuvendit, Agron Gjekmarkaj është pritur nga Ati i Shenjtë, Papa Françesku dhe Sekretari i Shtetit të Vatikanit, Pietro Parolin. Teksa ka ndarë foto të takimit në rrjetin social facebook, deputeti demokrat thekson se Papa i tha ”E dua Shqipërinë, lutem për të”.”Mbështetje për Shqipërinë, vëmendje e interes për të kuptuar të gjitha dinamikat e saj demokratike, shoqërore, integruese, gjeopolitike si dhe raportet me kultet. Sekretari Parolin rikonfirmoi miqësinë dhe mbështetjen e Vatikanit për popullin shqiptar, si vazhdim i një tradite historike e cila përsos vetveten”.
Postimi i plotë nga Nënkryetari i Kuvendit, Agron Gjekmarkaj
Me Kryetaren e Kuvendit Znj.Lindita Nikolla patëm nderin e madh të priteshim nga Shënjtëria e Tij, Papa Françesku dhe Sekretari i Shtetit të Vatikanit Eminenca e Tij, Pietro Parolin. Aty gjetëm dashuri e vëmendje të madhe për Shqipërinë si askund tjetër.
Ndër shekuj edhe kur reja e zezë mbulonte vendin tonë, brenda atyre mureve u konservua një pjesë themelore e identitetit tonë kombëtar! Gjergj Kastriot-Skenderbeu pas udhëtimeve të gjata përzhitur me pluhur betejash mbërrinte aty në ato 25-vite lavdie dhe aleancat e mëdha me Papët i bënte, e bashkë me bekimet e tyre apostolike merrte mbështetje për arbërore që luftonin për vete dhe Europën!
Në ato ujdhesa e imagjinoj me kalorsit e tij besnik tek kumtë të rënda shpie. Aty në Biblioteken apostolike u ruajt amza jonë kombëtare, “Meshari” i Gjon Buzukut kjo spirancë në identitetin europian të shqiptarve. Në ato kisha të qytetit etern, mësohej gjuha shqipe për meshtarët që niseshin për ilirik. Në tipografitë e urdhërave të ndryshëm shtypeshin librat bazik të kombit tonë ato të Budit, Bogdanit, Bardhit, Kazazit e të tjerë.
Në ato shkallare ngjitej Fishta me Pal Dodajn per t’ju lutur Papa Benediktit të XV, që Korça e Gjirokastra ti mbesnin Shqipërisë. Tek kalon ato portikë mbushur me historinë e qyteterimit perendimor përpiqesh të gjesh copat e tua. Kur i ndesh, emocionohesh e mbushesh me mirënjohje e cila nuk di ku të ndalet më parë, tek Papa Montini, tek Papa Gjon Pali që puthi dheun tonë, apo tek Papa Françesku që i foli gjithë botës për leksionin etik dhe frymëzues të bashkjetesës shqipëtare?
“E dua Shqipërinë, lutem për të tha Ati i shënjtë! Një politikë për njerëzit, duhet gjithmonë të punoni për ta, një popull që punon fiton! Ati i Shenjtë e kujton dhe promovon “vëllazërinë mes komuniteteve fetare në Shqiperi”! Emocionues në gjithçka takimi me Papa Françeskun, për mesazhet që na dha, mënyrën si na priti dhe kohen që na kushtoi! Gjithashtu miqësore, e përkushtuar dhe e perzemërt biseda me Sekretarin e Shtetit, Kardinalin Parolin.
Mbështetje për Shqipërinë, vëmendje e interes për të kuptuar të gjitha dinamikat e saj demokratike, shoqërore, integruese, gjeopolitike si dhe raportet me kultet. Sekretari Parolin rikonfirmoi miqësinë dhe mbështetjen e Vatikanit për popullin shqiptar, si vazhdim i një tradite historike e cila përsos vetveten. Takime të paharrueshme në një ditë që të shenjon kujtesën për gjithmonë.