Nënkryetari i PD-së: Deputetët Paloka e Leskaj nuk ishin të dehur, por të zemëruar!
Nga Luçiano Boçi, nënkryetar i PD-së
Nuk ishin të dehur, ishin të zemëruar.
Paloka dhe Leskaj nuk ishin të dehur siç mërmërit Rama.
Aspak!
Ishin deri në fyt të mbushur me zemërim e shfrynë dufin e reagimit të ligjshëm dhe jo vetëm te tyrin, ndaj një Kryeministri gojëndotës, të pacipë dhe arrogant të neveritshëm.
Ata nuk u poqën me Ramën rastësisht si të panjohur në rrugë që të akuzohen paturpësisht se kishin marrë alkool.
Ballafaqimi me të ishte ngjarje që do ndodhte dhe pritja u shkaktua nga sjellja e Ramës.
Shkaktari i zemërimit të tyre ishte vetë Kryeministri banal, i cili nuk ndalet të përdorë fjalor linçues ndaj opozitës.
Pse habitet Rama?
A e di ai se çfarë urrejtje vlon për të në ambientet përtej parlamentit, në të cilat reagimi i Palokës dhe Leskajt do dukej si përkëdhelje?!!!!
Dhe pse shan kaq shumë Rama?
Shan, se i shari të shan – thotë populli!
Shan, sepse kërkon, pa pasur turp nga turpi, të mbulojë ngjarjet korruptive!
Shan, sepse brenda tij ka një dëshirë perverse të shahet nga të tjerët!
Shan, sepse sharjen e ka aleaten e vetë më besnike.
Por përgjigjen e mori siç e meritonte,
Me të njëjtën monedhë!
E mori në proporcion të drejtë me ato që kishte vjellë nga goja një ditë më parë, ditë të tëra më parë, muaj e vite me radhë.
E meritonte dhe me ashpër madje, por le t’i shërbejë si mësim për t’i vënë gishtin kokës e për të mos cenuar opozitën, qytetarët, madje dhe të tijtë.
Zemërimi i Palokës dhe Leskajt nuk ishte zemërim i çastit dhe as i vetes së tyre.
Ai është shprehje në një formë ndryshe e zemërimit mbarëpopullor që do derdhet nesër shesheve të Tiranës.