Nënshkrimi i marrëveshjes për portin e Durrësit, PD: U firmos nga një kryeministër në ikje

Partia Demokratike e Sali Berishës, ka deklaruar se nuk do të njohë marrëveshjen e nënshkruar sot mes kryeministrit Edi Rama dhe investitorit Muhammed El Alabbar për zhvillimin e projektit të portit të ri turistik të Durrësit. Zëdhënësja Floriana Garo, tha se marrëveshja e nënshkruar nuk do të njihet, duke shtuar se sipas saj Rama është një kryeministër në ikje.

”Pas pesë ditëve në arrati, Edi Rama u shfaq për të mbuluar një aferë korruptive me një tjetër. Për të mbuluar me heshtje McGonigalin, ai sot nënshkroi marrëveshje me Alabarin për Durrës Yacht Marina, një tjetër rast tipik i abuzimit, mostransparencës dhe përdorimit të pronës publike në forma private dhe korruptive. PD e konsideron zëvendësimin e portit kryesor të vendit me një kënd lojrash të oligarkëve dhe shërbëtorëve të tyre, si një aferë korruptive e cila mund të nënshkruhet, por nuk do të njihet asnjëherë. PD as e njeh dhe as do ta njohë marrëveshjen e nënshkruar sot mes një kryeminisri në ikje dhe një përfituesi si Alabari, apo çdokujt tjetër, nga cilado kombësi apo me çfarëdolloj pasaporte e pasurie”,-tha Garo.

Po ashtu Garo theksoi edhe se nënshkrimi i marrëveshjes bëhet me qëllim që Rama të mbulojë hetimin e FBI-së. Mes të tjerash thuhet se Rama nuk ka mbështetje nga BE-ja sa i takon projektit të portit dhe amnistisë fiskale.

SHKARKO APP