Neritan Sejamini: Biznesmenët më të mëdhenj të vendit, mbahen me para publike
Analisti Neritan Sejamini, ka folur për biznesmenët që përfitojnë para publike dhe më pas ndihmojnë Edi Ramën të mbajë pushtetin.
I ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit”, Sejamini tha se biznesmenët më të mëdhenj të vendit mbahen me para publike dhe se opozita duhet ti denoncojë ata, nëse kërkon që njerëzit ta besojnë vërtetë.
“Nuk është puna të thuash emrat e oligarkëve, por të thuash bizneset e tyre. Merr 5-6 biznesmenët më të mëdhenj, 90% e parave të tyre vijnë nga shteti. Nëpërmjet koncesioneve ose parave publike. Ky është problemi i regjimit të Ramës. Opozita thotë Rama është qelbësirë dhe të hiqet…. Rama, me të gjithë rrjetin e biznesmenëve më të mëdhenj, pronarëve të medias, krimin e oraganizuar, sundojnë Shqipërinë. Nëse opozita thotë këto gjëra, i shkojnë mbrapa shqiptarët.
Porti i Durrësit është biznes shqiptar, aferë tipike shqiptare. Edhe bregdetin po e marrin biznesmenë shqiptarë, me tokë të vjedhur si investitorë strategjikë. Unë nuk mendoj të thuhen emrat, por projektet, paratë. Biznesmenët kryesorë në Shqipëri, jetojnë me para publike. Ke biznesmenë super të mëdhenj, 100% të parave të tyre janë kontrata publike.
Ke ndërtuesin e Sheshit Skënderbej, ata janë vetëm me kontrata publike. Janë agjentë të qeverisë. Ky model duhet demaskuar. Duhet shpjeguar se cfarë regjimi kemi ne sot.
Ju (i drejtohet Palokës), të krijoni përshtypjen që ka qëlluar Rama i keq dhe po iku ai bëhet çdo gjë lule. Opozita këtë ka detyrë parësore, të tregojë çfarë po ndodh, të tregojë edhe çfarë do të bëjë, të japë shembullin edhe për kurajon”, tha Sejamini.