Nesër Britania voton, nuk ka favoritë

 

E enjta do të jetë një ditë vendimtare për Britaninë e Madhe, pasi për herë të parë që prej vitit 1970, vendi shkon në zgjedhjet e përgjithshme ndërkohë që asnjë nga dy partitë kryesore nuk e ka të sigurt fitoren absolute.

Sipas sondazheve paraprake, konservatorët e udhëhequr nga Devid Kameron do të fitojnë më shumë vende në parlament se sa laburistët e Ed Milibandit, por mund të mos marrin mbështetjen që u nevojitet nga partitë e vogla për të formuar kabinetin e ri qeveritar, duke shndërruar kështu Partinë Nacionaliste Skoceze, të kryesuar nga Nikola Sjturxheon, dhe Liberal demokratët e Nik Kleg, në “kingmaker” të mundshëm.

Për analistët, një rezultat i tillë mund të sjellë edhe fundit e parakohëshëm të karrierës politike të 48-vjeçarit Kameron, i cili ka dështuar deri tani të orientojë konservatorët nga e djathta drejt qendrës.

Arma e tij e fortë janë 2 milionë vendet e punës që janë krijuar nën qeverisjen e tij dhe ulja e defiçitit buxhetor, ndërsa ka paralajmëruar votuesit që të mos rikthejnë në pushtet laburistët që shkatërruan ekonominë e vendit.

Nën presionin e euroskeptikëve, Kameron është zotuar që do të mbajë një referendum mbi qendrimin e Britanisë në Bashkimin Europian në vitin 2017, edhe pse vetë ka pranuar që nuk dëshiron të largohet për sa kohë ajo mbetet një organizatë dhe nuk ka prirje për t’u bërë Federatë.

Kritikët thonë që loja e rrezikshme me pavarësinë e Skocisë dhe shtimi i të drejtave ndaj tyre mund të sjellë shpërbërjen e unionit pavarësisht rezultatit të referndumit të fundit. Sipas sondazheve, Partia Nacionaliste Skoceze mund të fitojë 40 nga 59 vende që i garantohet Skocisë në parlament, ndërkohë që pesë vjet më parë fitoi vetëm 6.

Në anën tjetër, Ed Miliband, djali i emigrantëve hebrenj polakë që u arratisën për në Angli për t’i shpëtuar përndjekjes naziste, edhe pse fillimisht nuk shihej si kandidat i denjë për të rivalizuar Kameronin, ka arritur të fitojë zemrat e britanikëven të cilët mund t’i japin nj shans. Kundërshtar i fortë i largimit të Britanisë nga Bashkimi Europian, kërkon të fitojë më shumë se sa 258 vendet në parlament që morën laburistët në vitin 2010 nën drejtimin e Gordon Braunit, duke u mbështetur në doktrinën e majtë se qeveria e tij do të vendosë klasën punëtore në plan të parë.

Gara është e hapur!

SHKARKO APP