Nesër fillon shkolla, ministrja Kushi mesazh urimi për nxënësit: Zyra ime është e juaja (VIDEO)
Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi u është drejtuar me një urim të gjithë nxënësve që nesër nisin vitin e ri shkollor 2021-2022. “Kënaqësia më e madhe për mua është që ju nesër do të nisni vitin e ri shkollor dhe do t’i mbushni klasat tuaja me gjallëri dhe dashuri”.
Përmes një video mesazhi, ajo thekson se në të gjitha shkollat janë marrë masat që ky vit shkollor të jetë sa më i mbarë. “Kjo zyrë më shumë se sa e imja është e juaja dhe do të jetë gjithmonë e hapur për çdo nevojë apo shqetësim tuajin”,-u thotë ministrja Kushi nxënësve të klasave të ndryshme që kanë vizituar ministren në zyrë.
Po ashtu Kushi u bën thirrje nxënësve që t’i kushtojnë kujdes maksimal masave anti-Covid. Në video-mesazh kanë përcjellë mesazhe të veçanta edhe nxënës të klasave dhe shkollave të ndryshme.
Ruajtja e higjienës dhe mbajtja e maskave, ishte një prej mesazheve, ndërkohë që janë përcjellë edhe disa nga risitë që vijnë këtë vit për herë të parë në shkolla, si anglishtja për klasat e para, arti e zejet, apo klasat sportive.