Nesër Fredi Belerit i mbaron leja, do të kthehet eurodeputeti në burg?
Drejtoria e Burgjeve i dha 5 leje Fredi Belerit që ai të shkojë dhe të betohet si eurodeputet i Greqisë në Strasburg. Beleri doli nga burgu i Fierit më 16 Korrik dhe iu drejtua aeroportit të Rinasit, me një makinë të ambasadës greke.
Më pas udhëtoi drejt Athinës, ku u takua dhe me kryeministrin grek, Mitsotakis. Sipas Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve leja e Belerit mbaron nesër., por a do të kthehet Beleri në qeli? Beleri është dënuar nga Gjykata e Posaçme e Apelit me 2 vite heqje lirie për korrupsion në zgjedhje. Ai e shlyen dënimin e tij më 19 Tetor të këtij viti.
Fredi Beleri ka bërë kërkesë në Gjykatën e Fierit për liri me kusht. Në datë 17 Korrik është zhvilluar një seancë për çështjen e tij, por është shtyrë pasi nuk është paraqitur juristi i burgut. Ky i fundit ishte njoftuar për datën dhe orën e seancës.