Nesër në orën 10:00 mbahen negociatat për Presidentin e ri. Plotësohet kushti i PD
Raundi i dytë për zgjedhjen e Presidentit të ri do të mbahet më 23 maj, ndaj dhe kreu i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla i bëri ftesë opozitës që të mblidhen sot në mënyrë që të dalin të hënën me një emër për kreun e ri të shtetit në mënyrë që të mos digjet as ky raund.
Pas mbledhjes së Kryesisë së Kryetarëve, Taulant Balla tha se nesër në orën 10:00 palët do të ulen për të negociuar për Presidentin e ri, dhe se plotësohet kushti i Alibeajt, që në mbledhje të jenë të pranishme edhe mediat.
“Ju ishit prezent gjatë bisedës që zhvilluam sot në konferencën e kryetarëve. Shpresoj që të ketë fleksibilitet dhe gatishmëri për konsensus. Unë kam shprehur gatishmërinë për të diskutuar mbi dokumentin e Alibeajt, por natyrshëm që të drejtën e propozimit ta kenë të gjitha palët”.
Po ashtu ai shtroi pyetjen se nëse opozita i ka 20 firma për të propozuar një kandidat për President. Balla tha se shpreson që nga ana e grupit parlamentar të PD-së të ketë fleksibilitet dhe gatishmëri për konsensus, pasi në këtë mënyrë procesi do të ketë sukses.
”Nëse ka gatishmëri për tu përfshirë seriozisht në proces besoj se mund të kemi ecuri në këtë proces. I ka opozita 20 firma për një kandidat për ta propozuar, nëse i ka le ta bëjë”.
Kryetari i Grupit Parlamentar të PD, Enkelejd Alibeaj tha se për çështjen e presidentit, transparenca është ilaçi kundër pazareve. Ai tha se ende nuk janë caktuar rregullat, pastaj është diskutimi për emrat.
”Unë mendoj që vetëm transparenca është ilaçi më i mirë kundër çfarëdolloj pazari. Ju dhe publiku e doni këtë. Për këtë arsye nesër ora 10:00, jeni të ftuar për të parë qëndrimin. Duam të jetë një proces në shërbim të shqiptarëve. Nesër salla është e hapur për të gjithë. Unë kam durimin që t’i diskutojmë të gjithë hap pas hapi, e kuptoj shpejtësinë që do Balla, por besoj që kushtetuta thotë 1 gjë, që 3 raundet e para duhet shumica e cilësuar. Ne kemi pa caktuar rregullat, pastaj emrat. Le ta shohim”.