Nesër nis fushata. Kreu i OSBE: Mbani zgjedhje të lira dhe të ndershme

Nesër nis zyrtarisht fushata për zgjedhjet parlamentare të 11 majit. Në këtë kuadër, OSBE, Prokuroria e Përgjithshme dhe Policia e Shtetit zhvilluan një tryezë për forcimin e rolit të prokurorëve në luftën kundër krimeve zgjedhore. Ambasadori Michel Tarran theksoi rëndësinë e hetimeve të pavarura për krimet zgjedhore.

“Sigurimi i zgjedhjeve të lira dhe të ndershme kërkon institucione të forta, llogaridhënie, transparencë dhe angazhim të palëkundur ndaj shtetit të së drejtës. Prokurorët, oficerët e policisë gjyqësore dhe përfaqësuesit e Policisë së Shtetit kanë detyrën thelbësore të hetimit, ndjekjes finale dhe luftës kundër krimit zgjedhor”, tha Tarran.

“Megjithëse është bërë përparim raportet përfundimtare të ODIHR për zgjedhjet parlamentare të vitit 2021 dhe ato vendore të vitit 2023 vënë në dukje se krimi zgjedhor, në veçanti shitblerja e votës, keqpërdorimi i burimeve të administratës dhe frikësimi i votuesve vazhdojnë të jenë çështje shqetësuese”, shtoi më tej Tarran.

Ambasadori Tarran vlerësoi masat paraprake dhe të bashkërenduara të ndërmarra nga zyra e Prokurorit të Përgjithshëm, Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, SPAK-u dhe Policisë së Shtetit për sfidat që lidhen me krimet zgjedhore.

SHKARKO APP