Nesër palët ulen për Presidentin e ri, por me zero kandidat
Tashmë është koha e propozimit zyrtar të kandidaturave për Presidentin e ri të Shqipërisë, por nesër deputetët do të ulen në sallën e Kryesisë së Kuvendit me zero kandidat.
Në kryesinë e Kuvendit do të vijojnë negociatat mes kryetarëve të grupeve parlamentare për zgjedhjen e emrit të ri të kreut të shtetit, ndërsa kryeministri Edi Rama, i ka lënë dorë të lirë opozitës që të propozojnë ato të parët emrin e kandidatit për president.
Një deputet nuk mund të propozojë më shumë se 1 kandidat për Presidenti. Kushtetuta e Shqipërisë parashikon që raundi konsiderohet i bërë edhe nëse nuk paraqitet asnjë kandidat.
Pra opozita nuk e bllokon procesin as me mos pjesëmarrjen e saj në seancë, që do ta bënte të pamundur plotësimin e kuorumit në 3 raundet e para, 84 vota. Deri më 16 maj mund të mos ketë kandidat të propozuar nga asnjëra nga palët dhe raundi do të quhet i ezauruar, për të vijuar pastaj me përcaktimin e datës së raundit të dytë.
“Votimi i parë zhvillohet jo më vonë se shtatë ditë nga fillimi i procedurës për zgjedhjen e Presidentit. Secili nga votimet e tjera zhvillohet jo më vonë se shtatë ditë nga përfundimi pa sukses i votimit pararendës. Votimi quhet i kryer edhe kur në konkurrim nuk paraqitet asnjë kandidat. Në votimin e dytë, të tretë dhe të katërt mund të paraqiten kandidatë të rinj”, thuhet në pikën 2 të nenit 87”.