Nesër protesta/ Rama në Paris: Kemi një çështje të madhe si Serbia dhe Kosova, por Ballkani është i bashkuar
Nesër (e shtunë), në Tiranë do të mbahet protesta e madhe e PD dhe e mbarë opozitës. Por kryeministri Edi Rama ndodhet në Paris, në kuadër të ”Forumin e Paqes”. Në fjalën e tij, krah presidentit francez Macron, kryeministri Rama tha se Ballkani Perëndimor është i bashkuar, edhe pse theksoi se Europa ka një çështje të madhe, paqja përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë.
“Gjetja e një ekuilibri mes krizave është sfidë e madhe por këtu hyn në lojë barra e lehtë e të qenit kryeministër shqiptar dhe jo president i Francës se nuk duhet të zgjidhësh problemet e botës.
Dua të them se Ballkani deri tani ia ka dalë t’i qëndrojë larg luftës konvencionale duke qenë hallka më e brishtë e zinxhirit. Ne kemi dobësitë tona se e dimë që në Ballkan, Rusia ka ndikimin më të madh potencial dhe mund të shkaktojë dëme prej ndasive. Kemi një çështje të madhe si Serbia dhe Kosova, por është e rëndësishme të shihet se Ballkani është i bashkuar.
Ne jemi në drejtimin e duhur. E di që nuk është e lehtë. Për shkak të asaj çka ndodhur vërtet në Ballkanin Perëndimor, ky është po kështu product i nxitjes që po jep Franca duke qenë nga njëra anë apo i perceptuar si më skeptik për zgjerimin por dhe më i përfshirë së fundmi në Ballkanin Perëndimor. Më vjen keq zoti president, nuk isha më i shpejtë sa miqtë tanë. Tradita ka rëndësi. S’bëjmë dot asgjë për këtë”, tha Rama.
Edicioni i pestë i Forumit të Paqes në Paris do të mbledhë liderë nga mbarë bota, si dhe përfaqësues të lartë të organizatave ndërkombëtare, bizneseve, bankave zhvillimore për të diskutuar eliminimin e krizave të shumëfishta globale, duke promovuar forcimin e bashkëpunimit dhe multilateralizmit.