Nesho: Shqipëria po e humb trenin e fundit drejt BE, përplasja me Serbinë një “lojë nacionaliste” para 25 prillit

Diplomati, Agim Nesho, thotë se Shqipëria rrezikon të ndahet nga Maqedonia e Veriut për procesin e negociatave.

Nesho: Shqipëria është shumë prapa Maqedonisë së Veriut pasi nuk janë zbatuar porositë nga BE, ndaj dhe Shqipëria mund të bllokohet. Po humb trenin për të shkuar në BE, nuk ka justifikime.

I ftuar në Ora News, ai kritikoi rolin pasiv të ndërkombëtarëve pas miratimit të njëanshëm të ndryshimeve në kodin zgjedhor.

Nesho: Diplomacia, e cila ka një rol shumë aktiv në Shqipëri të pajustifikuar, duhet të qëndronte në princip për arsye se jo vetëm kompromenton rolin e saj por edhe ato vlera për të cilat pretendon se ushtron veprimtarinë e saj në Shqipëri.

Sipas tij, pushteti i sotëm është produkt i tolerimeve që kanë bërë vetë ata.

Ish-ambasadori komentoi edhe përplasjet e fundit Shqipëri-Serbi, me nota proteste të shkëmbyera në ambasada pas deklaratës së Vulin se “Shqipëria e Madhe mund të ndalet vetëm nga unifikimi i serbëve”

Nesho: Mu duk shumë artificiale. Pashë një meme në rrjete sociale shumë të goditur që thoshte nëse të duhet pak patriotizëm dhe nacionalizëm, të shërbej unë. Ka një jo-justifikim logjik në përplasjet mes dy Ministrive të Jashtme. Dihet që marrëdhëniet mes Vuçiç dhe Ramës janë shumë të ngushta, të dy ata janë projektorët e minishengenit.

Kjo mund të jetë inskenim ose deklarata të gabuara të individëve të caktuar, nga të dyja anët ka nacionalistë që nuk u pëlqen protagonizmi i liderëve kryesorë. Mund të jetë dhe një ngritje topi për të luajtur një lojë nacionaliste para zgjedhjeve të 25 prillit. Asgjë nuk ngjit me këtë show të madh politik me Serbinë.

SHKARKO APP