Nga bashkimi i Kosovës dhe Shqipërisë fiton edhe Serbia
Serbia është duke zhvilluar afarizëm të mirë në Kosovë. Në vitin 2014, sipas Agjencisë Statistikore të Kosovës nga ky vend arritën pjesa më e madhe e importeve – gjithsej 368.2 milionë euro. Kjo përbën rritje prej 80 milionë euro në krahasim me vitin 2013, gjë që mund të jetë ndikuar edhe nga tregtimi mes komunitetit serb në Kosovë dhe nga regjistrimi i Serbisë nga Doganat. Por, sido që të shikohet kjo çështje, Serbia vazhdon të llogarisë në ish-krahinën e saj si një konsumator besnik.
Ngjashëm është zhvilluar ngjarja të gjitha këto vite, përveç vitit 2011, kur pati bojkot edhe zyrtar edhe jozyrtar të produkteve të Serbisë. Të gjitha këto edhe kanë kuptim kur kemi parasysh se Serbia vazhdon të mbetet faktor ekonomik dominues në rajon.
Gjithashtu është i kuptueshëm fakti pse zyrtarët në Beograd nuk kanë qenë gjithaq të lumtur me takimin e madh të qeverive të Shqipërisë dhe Kosovës në Tiranë javën e kaluar, të prirë nga kryeministrat përkatës. Komentet që vinin nga Serbia flisnin për një frikë nacionaliste nga Shqipëria e Madhe, gjasat e realizimit të së cilës janë pak a shumë zero.
Mbase një frikë më e madhe për Serbinë është ajo se Shqipëria do të fillojë t’ia marrë tregun e eksporteve në Kosovë. Pse të blihet nga një armik i mëparshëm, i cili ende është duke u sjellë disi si trap me ju, nëse mund të blini nga miqtë tuaj? (vitin e kaluar Kosova importoi nga Shqipëria mallra në vlerë prej 85.2 milionë euro – më pak se një e katërta e importeve nga Serbia).
Por, në aspekt afatgjatë, Serbia do duhej të mirëpresë lidhjet më të ngushta mes Shqipërisë dhe Kosovës. Edhe pse Kosova vazhdon të mbetet konsumator i mirë, ekonomia e saj është ende e dobët. Eksportet e Kosovës janë fare të vogla krahasuar me importet e saj. Por, ato janë duke shfaqur shenja jete dhe eksportet në Shqipëri dhe Serbi janë duke u ngritur me shpejtësi marramendëse, së paku në kuptim të përqindjes.
Nëse Kosova fillon të ketë më shumë afarizëm me Shqipërinë, kjo do të përkthehet në përfitime reale për ekonominë e Kosovës. Nëse Kosova prosperon, ajo do të jetë në gjendje të blejë edhe më shumë mall nga Serbia. Si përmbledhje: në vend se të frikësohet nga përrallat mbi bashkimin e shteteve shqiptare, Serbia do duhej të mirëpresë partneritetin ekonomik mes tyre.