Nga interneti falas tek shkurtimi i vonesave në kufi! Rama: Çështjet politike jo bllokim i rrugës për në BE

Nga konferenca e përbashkët me komisionerin për Zgjerimin, Oliver Varhelyi, kryeministri Edi Rama pati një mesazh indirekt për Serbinë dhe Kosovën, kërkoi që çështjet politike të zgjidhen në bisedime dypalëshe dhe të mos mbajnë peng planin e rritjes dhe fondin 6 miliardë euro të Komisionit Europian për Ballkanin Perëndimor.

“Nuk ka rëndësi çfarë problemesh politike kemi me njëri-tjetrin, duhet ta bëjmë këtë dhe të 6 vendet e rajonit kanë rënë dakord. Ndaj çështjet politike duhet të diskutohen dhe zgjidhen si probleme dypalëshe. Ato nuk janë arsye dhe nuk do të pranohen nga BE për të mos realizuar gjithçka që lidhet me lëvizjen e lirë të njerëzve dhe mallrave”.

Kryeministri nuk la pa mbrojtur edhe hapat pozitivë me të cilat sipas tij Ballkani i Hapur kontribuoi në integrimin rajonal, proces i cili shënjon për Ramën rrugën drejt Bashkimit Europian për 6 vendet e rajonit. Shefi i qeverisë shqiptare theksoi se Plani i ri i Rritjes është një platformë kyçe për të përshpejtuar hyrjen e vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE dhe do ta bëjë procesin të prekshëm për njerëzit.

Komisioneri për Zgjerimin, Olivér Várhelyi ka përmbledhur shkurt katër fushat kryesore në të cilat u përqendruar diskutimet ditën e sotme në samitin e Bashkimit Europian me Ballkanin Perëndimor që po mbahet në Tiranë. Várhelyi tha se mes liderëve u diskutua së pari për SEPA-n, Zonën e Përbashkët të Pagesave në Euro.

Një tjetër çështje për të cilën është diskutuar në Samit, janë ato që quhen korsitë jeshile. Pra, pritet që brenda këtij viti, të ulet koha e pritjes në pikat e kalimit kufitar në vendet e rajonit. Pika e tretë është krijimi i një qendre, në Ballkanin Perëndimor, që do të shërbejë për punë kërkimore-shkencore.

“Industritë e ndryshme do të kenë nevojë për një qendër, bërthamë. Të krijohet këtu në Ballkan në sektorin farmaceutik, digjital”. Brenda këtij viti, BE pret po ashtu nga vendet e rajonit që të ofrojnë internet falas në zonat publike. Unioni pret që, me ndihmën që do t’u jepet bashkive, kjo të realizohet po ashtu këtë vit. Ndërsa, sa i përket agjendës për 2025, eurokomisioneri theksoi se tashmë presin që të jetë rajoni ai që do të sjellë ide.

SHKARKO APP