Nga mëngjesi deri tani në darkë, zhvillimet pikante të politikës
Nga: Redjon Shtylla
Kjo e premte ishte shumë e ngjeshur me zhvillime politike. Që në mëngjes, në selinë blu pati ”protestë” nga mbështetës të Sali Berishës, dhe ky i fundit që nga dera e shtëpisë deri në derën e Kuvendit u prit nga dhjetëra simpatizantë. Krah Berishës i cili dje u përjashtua nga grupi parlamentar ishin dhe deputetët Edi Paloka, Flamur Noka dhe Tritan Shehu.
Lideri historik i PD-së u ul në një rresht me kryetaren e LSI-së, Monika Kryemadhi, teksa në mes i ndante demokrati Tritan Shehu. Pas daljes nga Kuvendit, Berisha hodhi akuza ndaj Bashës, duke thënë se largimi i tij nga grupi është pjesë e një pakti mes tij dhe kryeministrit Edi Rama. Ndërsa ky i fundit sot ka preferuar që të mos flasë për ngjarjet brenda PD-së.
”Jam i vendosur për të mbrojtur interesin publik të qytetarëve dhe publikut. Për të denoncuar të gjitha aferat e këtij regjimi të kakistokracisë, regjim i cili ka zgjedhur shpifjen dhe trillimin për eleminimin e opozitarëve shqiptarë. Se çfarë date është pakti, do t’ua lë historianëve. Ajo që ndodhi është një marrëveshje Rama-Basha në kurriz të zgjedhësve shqiptarë. Partia Demokratike është parti e të drejtave njerëzore, parti e interesit kombëtar. Jam i bindur se demokratët shqiptarë me vendosmëri do të dinë të vendosin PD në piedestal. Do të marr çdo nismë ligjore dhe statutore për rikthimin e PD në piedestal. Siç e shihni jashtë, jam anëtar i grupit të PD. Vendimi dhe kompromisi Basha-Rama është nul, nuk ka mbështetje ligjore të pazareve prapa shpine. Në çdo kohë mund të hyj në selinë e PD. Do të jetë shumë e afërt dita kur PD të rifitojë të gjithë forcën dhe legjitimitetin për të shporrur një klikë sunduese të bazuar mbi krimin dhe drogën. Grupi ishte në krahun e vet, as është pyetur fare”,-tha Berisha.
”Ne vijmë në këtë Kuvend me diçka që unë e kam thënë përherë pa marrë parasysh sesi do të shkonin zhvillimet brenda PD-së. Dora është e shtrirë për të bashkëpunuar, kjo për të mirën e popullit”,-kështu tha kryeministri Edi Rama në një prononcim për gazetarët nga jashtë sallës së Kuvendit.
Nga ana tjetër, gazetarët e pyetën nëse mes tij dhe kreut Basha ka pazar, akuzë e hedhur sot nga kryeministri Sali Berisha, që për të vendimi i përjashtimin nga grupi parlamentar vjen pikërisht nga ky pazar Rama-Basha.
”Unë jam shumë i përgatitur që të jem në lartësinë e fjalëve dhe duke qenë mjaft korrekt në raport me ju. Jam shumë i vetëdijshëm që pa dashur, mund të jem tejkaluar kufirin që nuk e bën asnjëherë një peshëngritës i peshës së rëndë me një të peshës së lehtë. Në rast se kjo nuk do të ndodhë në ndonjë moment, ta dini se do të jetë vetëm gabimi im”.
Nga jashtë Kuvendit të Shqipërisë, Lulzim Basha i është përgjigjur deklaratave akuzuese të Sali Berishës, kur tha se ndjen dhimbje nga ato që ka dëgjuar nga goja e Berishës.
”Kam ndjekur me dhimbje të mëdha deklaratën e doktor Berishës dhe konsideratën e kam shprehur mbrëmë. Dhimbja që ndjej në nivelin personal dhe njerëzor për vendimin e marrë dje në mënyrë të detyruar, është ndjerë sot dyfish, shpresoj që koha t’i rregullojë, është ilaçi më i mirë. Shpreh keqardhjen e thellë se tezat e kundërshtarit të vetëm timit dhe të PD të Edi Ramës, sot i kam dëgjuar të artikuluar nga goja e një njeriut vlerësimin ndaj të cilit e kam dhënë dje”. Po ashtu Basha theksoi se e vetmja rrugë e PD është të qëndrojë e bashkuar. ”PD nuk ka rrugë tjetër përveç se e bashkuar”.
Monika Kryemadhi nuk e ka krisur fletën, por ka ushtruar të drejën e votimit të rregullt, duke votuar kundër. Edhe deputetët e LSI-së, Agron Çela dhe Erisa Xhixho e ushtruan të drejtën e votës, po ashtu edhe ata kundër. Petrit Vasili sqaroi se vota e deputetëve të LSI-së është kundër. ”Votimi dhe vota kundër i të gjithë deputetëve të LSI-së për propozimin e Rilindjes për kryetar kuvendi është përgjigja e vetme ndaj çdo farse”,-shkruan në facebook Vasili.
Fletët e grisura nga deputetët e PD-së për votimin e Lindita Nikollës si kryetare e Kuevndit, i ka mbledhur kryeministri Edi Rama. Këtë veprim të Ramës e kanë duartrokitur deputetët e PS-së. Pasi i ka mbledhur dhe i ka futur në një qese, Rama i’a ka dorëzuar deputetit të PD-së Belind Këlliçi.
Pas një procesi që kaloi me tension, me 79 vota Lindita Nikolla është kryetarja më e re e Kuvendit të Shqipërisë. Në votim morën pjesë 137 deputetë nga 140 që janë në Kuvend. Kundër saj votuan 4 deputetët e LSI-së, pasi deputetët e PD-së krisën fletën e votimit. Sapo Nikolla mori fjalën, deputetët e PD-së përplasën duart mbi tavolinë dhe disa minuta më pas u larguan nga salla e Kuvendit të Shqipërisë.
”Të dashur qytetarë dhe qytetarë shqiptarë. Të nderuar deputetë dhe deputetë është nder të jem këtu para popullit shqiptar. Është një nder që nuk thuhet dot me fjalë. Fjalët do t’i kursej me sa të mundem që t’ia lë kohë që do kemi së bashku”,-tha Nikolla. Ajo që është e çuditshme është që Nikolla mori 79 vota, kur PS-ja në zgjedhjet e 25 prillit morën 74 mandate.