Nga rehabilitimi i lagjeve tek shkollat e reja, Llatja prezanton projektet për Elbasanin: 14 Maji zgjedhje për të vijuar zhvillimin
Kryetari i Bashkisë së Elbasanit, Gledian Llatja së bashku me kryetaren e PS-së në këtë qytet, Ermira Urupi, janë takuar me banorë të njësisë nr.6 ku kanë bërë bilancet e një pune intensive 4-vjeçare. Si një nga lagjet më të mëdha të Elbasanit, por edhe me nevoja të mëdha për urbanizim, lagja “5 Maji” ka qenë në vëmendjen kryesore të kryebashkiakut Llatja.
Teksa përmendi disa nga investimet, që konsistojnë në rikontruksione rrugësh, shkollash, kanalizime, ndërtim qendrash shëndetësore etj, Llatja pranoi se kjo zonë nuk do të quhet e sistemuar nëse nuk shtohen sipërfaqet e gjelbra, rehabilitohen fasadat e pallateve dhe të ndërtohen këndet e lojërave.
“Kur kemi ardhur këtu përpara katër viteve kërkohej një sistemim total i të gjithë bllokut të pallatit, i rrugëve, rrugicave, edhe rrugicave të brendshme. Qendra shëndetësore që kemi këtu mbrapa është shembulli më i mirë i një shërbimi që e kemi tek lagjja, i një infrastrukture moderne. Absolutisht e gjithë kjo infrastrukturë nuk ka kuptim edhe pa fasadat që do t’i bëjmë ne, nuk ka kuptim edhe pa sipërfaqet e gjelbra, pa këndet e lojërave. Ne kemi bërë shumë punë këtë mandat, të cilat në fakt kur i filluam para katër vitesh nuk I imagjinoja dot as unë se do t’i bëja, duke parë se kishim një situatë financiare të rënduar nga borxhet e akumuluara nga ish-komunat dhe gjeja e parë që bëmë stabilizuam financiarisht bashkinë, por për asnjë moment nuk ndaluam nga puna. Vazhduam punën, vazhduam rikonstruksionin e shkollave, vazhduam rrugët, sheshet e pallateve, vazhduam kopshtet, shkollat”, tha Llatja.
Duke i cilësuar zgjedhjet e 14 majit shumë të rëndësishme për perspektivën e zhvillimit të Elbasanit, Llatja u shpreh besimplotë në gjykimin e elbasanasve dhe mbështetjen e tyre.
“Zgjedhjet e 14 Majit janë zgjedhjet tona për të vazhduar punën, për të vazhduar me kontratën tonë me njëri-tjetrin, janë zgjedhje thelbësore për vazhdimin e zhvillimit të Elbasanit, por edhe për t’i thënë JO të vjetrës. Ne nuk shohim ëndrra, jemi në garë elektorale për zhvillimin e qytetit, për të lidhur një kontratë me qytetarët e Elbasanit. Ky është qëllimi ynë! Duam të kemi një mbështetje të madhe të qeverisë shqiptare, ashtu siç e kemi edhe sot të kryeministrit Rama. Këtë do të bëjmë dhe jam i sigurt që do ta bëjmë bashkë, duke ju pasur ju në krah siç ju kam pasur këto 4 vite dhe më shumë akoma seç kemi pasur para katër vitesh. Jam i bindur për këtë, kemi katër vjet që punojmë”,-tha Llatja.
Kryetarja e Partisë Socialiste të Elbasanit, Ermira Urupi tha se në këtë garë PS vjen me kokën lart dhe e nderuar që me përkushtimin e tij, Gledian Llatja u shërbeu më së miri qytetarëve në 4 vitet që lamë pas. Urupi theksoi se Llatja nuk ka kundërshtarë, ai është në garë me veten e tij dhe me qytetarët për t’u shërbyer gjithmonë e më shumë.
“Jemi në garë! Gledi është në garë! Por Gledi në këtë garë nuk është vetëm, Gledi në këtë garë është me këshilltarët socialistë, Gledi në këtë garë është me ekipin politik, me PS dhe me mbështetjen e kryeministrit Edi Rama! Them Gledi në këtë garë hyn fitues e ballëlartë, jo me fjalë, me vepra, me punët e mira të bëra nga bashkia këto katër vite të mirëmenaxhuara. Me votëbesimin tuaj në 14 Maj për Gledin dhe PS me listën e Këshillit Bashkiak, ne garantojmë vazhdimësinë e vizionit Elbasani 2030. Është vizion i PS, është vizion dhe mbështetje me shumë përkushtim nga vetë kryeministri Edi Rama”, tha Urupi.