Nga Tirana drejt botës: Pse qytetarët e Malit të Zi zgjedhin aeroportin “Nënë Tereza”?
-Botuar në web të radios “Europa e Lirë”-
“Podgoricë – Tiranë – Katania – 7 ditë, 390 euro”.
“Podgoricë – Tiranë – Sicili – me avion – 21 maj – 479 euro”.
Gati në të gjitha reklamat e agjencive turistike në Podgoricë, Tirana është e pashmangshme.
Ajo nuk është, thjesht, një stacion i ndërmjetëm nga Podgorica në Sicili, por një aeroport nga i cili qytetarët e Malit të Zi shkojnë gjithnjë e më shumë drejt botës.
Pjervitorio Farabi, drejtor operativ i aeroportit “Nënë Tereza” në Tiranë, tregon për Radion Evropa e Lirë se vitin e kaluar, rreth 53 mijë pasagjerë nga Mali i Zi kanë fluturuar me avionë nga ky aeroport, ndërsa deri në prill të këtij viti rreth 20 mijë.
Ai thotë se ky aeroport ka pasur qarkullimin më të madh në rajon në tremujorin e parë të këtij viti. Gati 1.6 milion pasagjerë kanë udhëtuar prej tij vetëm deri në prill të këtij viti – çfarë është rekord në mesin e vendeve fqinje.
Aeroporti “Nënë Tereza” është rreth 140 kilometra larg Podgoricës dhe mes këtyre dy destinacioneve duhen rreth tri orë vozitje.
Udhëtarët nga Mali i Zi
Mali i Zi ka dy aeroporte – në Podgoricë dhe në Tivat. Por, numri i pamjaftueshëm i fluturimeve, zgjedhja e dobët e destinacioneve dhe biletat e shtrenjta janë arsyet përse qytetarët thonë se zgjedhin aeroportin e vendit fqinj.
Njëri prej tyre, Nikolla, sapo është kthyer nga Sicilia, të cilën thotë se e ka vizituar për herë të parë:
“Një biletë vajtje-ardhje Tiranë-Katania kushton më pak se 20 euro… Ka disa lëshime të vogla, por asgjë e tmerrshme. Do të mbërrini aty ku e keni menduar”.
“Nga Podgorica dhe Tivati mund të fluturoni me avion vetëm në disa destinacione, kurse nga Tirana zgjidhni ku të doni”, thotë ai.
Bojani nga Podgorica zakonisht fluturon katër herë në vit, gjithmonë nga Tirana.
“Arsyet janë të thjeshta. Fluturime të lira dhe një përzgjedhje e madhe destinacionesh. Edhe me kostot e transportit, edhe me lënien e makinës në parkingun ngjitur me aeroportin, është dukshëm më lirë. Zgjedhja e destinacioneve nga Mali i Zi është aq e vogël, saqë nuk është fare tërheqëse”, thotë ai.
Si është gjendja në aeroportet në Mal të Zi?
Për një vit e gjysmë, kompanitë me çmime të lira, Ryanair dhe Wizzair, kanë fluturuar nga Podgorica në disa destinacione evropiane.
Por, kur aeroporti në Podgoricë e ka rritur çmimin e takses në vitin 2022, ato i kanë anuluar fluturimet për në Barcelonë, Bolonjë, Zagreb, Mançester, Vjenë, Romë…
Atëkohë, Qeveria e Malit të Zi ka thënë se anulimi i tillë i fluturimeve është “biznes i zakonshëm i këtyre kompanive në rajon dhe më gjerë”.
Nisur nga maji, disa linja janë rikthyer. Megjithatë, deri më 17 maj, kanë qenë vetëm rreth tridhjetë fluturime hyrëse dhe po aq fluturime dalëse nga aeroportet e Podgoricës dhe Tivatit.
Tirana, në anën tjetër, ka më shumë se 120 fluturime hyrëse dhe 120 dalëse, çdo ditë.
Në tre vjetët e fundit, Wizzair ka investuar më shumë se 1.3 miliard euro në industrinë e aviacionit shqiptar, ka thënë drejtori i kësaj kompanie, Jozsef Varadi.
Për shkak të punës më të madhe në Tiranë, kjo kompani ka punësuar rreth 500 anëtarë të ekuipazhit.
Rreth tri orë deri në aeroportin e Tiranës
Nikolla thotë se për të arritur nga Podgorica në Tiranë, i duhen rreth tri orë vozitje me makinë.
“Unë shkoj gjithmonë me makinën time. Ka një numër parkingjesh private përreth aeroportit, që kanë çmim më të lirë, rreth pesë euro në ditë”, thotë ai.
Përvojat janë pozitive, po ashtu, shton ai.
“Nëse nuk kërkoni profesionalizëm zviceran në Ballkan, apo stjuardesa të buzëqeshura në një kompani me çmime më të ulëta, do të jeni të kënaqur”, thotë Nikolla.
Për ata që nuk kanë makinë ose nuk duan të vozisin deri në Tiranë, ka kompani që organizojnë transportin.
Drejtori i njërës prej tyre, Andrija Rogoshiq, thotë për Radion Evropa e Lirë se idenë për krijimin e kompanisë e ka marrë kur ka lexuar se qarkullimi në aeroportin në Tiranë është rritur për 116 për qind, në krahasim me periudhën para fillimit të pandemisë COVID-19.
Agjencitë nga Mali i Zi – probleme me mungesën e fluturimeve
Avantazhi i aeroportit të Tiranës përdoret nga pothuajse të gjitha agjencitë turistike në Mal të Zi që ofrojnë aranzhime për destinacione evropiane dhe të tjera.
“Disa aranzhime përfshijnë fluturimin nga aeroporti i Podgoricës, por shumica dërrmuese janë nga Tirana. Atje ka një përzgjedhje më të madhe dhe shumë më të lirë. Organizojmë transportin me autobus për të arritur atje”, thotë përfaqësuesja e një agjencie udhëtimi nga Podgorica.
Ndryshe prej saj, një agjenci turistike që çon turistë nga Evropa dhe Lindja e Mesme në Mal të Zi, nuk mendon t’i përfshijë në ofertën e saj fluturimet nga Tirana.
“Udhëtimet tona lidhen më së shumti me bregdetin dhe/ose veriun e Malit të Zi. Në praktikë, kjo do të thotë që vozitja në një drejtim zgjat deri në pesë orë dhe ne nuk ua ofrojmë këtë klientëve që vijnë për pushime për disa ditë”, thotë për Radion Evropa e Lirë Ivan Duroviq, drejtor i agjencisë.
Ai shton se agjencia përshtatet me fluturimet ekzistuese nga dhe drejt Malit të Zi.
“Oferta e dobët e fluturimeve e kufizon punën tonë. Pavarësisht kësaj, ne bëjmë më të mirën që mundemi me dy aeroportet që i kemi”, thotë Duroviq.
Edhe pse për disa numri i fluturimeve është i pamjaftueshëm, aeroporti në Podgoricë ka pasur rreth 370 mijë pasagjerë deri më tash këtë vit, që do të thotë 45 për qind më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2019.9 (Marrë me shkurtime)
Përgatiti: Valona Tela
Shënim: Radio Evropa e Lirë/Radio Liberty është një organizatë mediatike ndërkombëtare e financuar nga qeveria amerikane