Ngjarja e javes/Presidenti Nishani u takua me homologun gjerman, Joachim Gauck

 

Presidenti i Republikës Bujar Nishani u takua në Berlin me homologun gjerman, Presidentin Federal, Sh.T.Z. Joachim Gauck, me të cilin bisedoi për forcimin dhe zgjerimin e mëtejshëm të marrëdhënieve midis dy vendeve, reformat që Shqipëria po kryen në kuadrin e procesit të integrimit evropian si edhe për çështje të tjera lidhur me sigurinë dhe rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Presidenti Nishani shprehu mirënjohjen dhe e falënderoi Presidentin Gauck për mbështetjen e qenësishme që Gjermania dhe populli gjerman i kanë dhënë Shqipërisë dhe shqiptarëve për anëtarësimin në NATO, procesin e integrimit evropian si dhe për zhvillimin ekonomik. “Gjermania mbetet një nga donatorët më të mëdhenj për Shqipërinë dhe falë kësaj ndihme bujare, është bërë e mundur rimëkëmbja ekonomike e sociale e vendit pas rënies së regjimit komunist si dhe forcimi i institucioneve demokratike.” – u shpreh Kreu i Shtetit shqiptar.

Presidenti i Republikës e garantoi homologun e tij se Shqipëria është shumë e vendosur për të kryer të gjitha reformat e nevojshme që e afrojnë dhe integrojnë vendin me Bashkimin Evropian. “Shqipëria sot është vend kandidat për në Bashkimin Evropian, dhe ju siguroj se ne shqiptarët nuk kemi një alternativë tjetër B, por jemi tërësisht të fokusuar në përmbushjen e reformave dhe standardeve të nevojshme për integrimin e vendit në Union.” – u shpreh Presidenti Nishani.

 

Duke u ndalur në reformat e ndërmarra Kreu i Shtetit evidentoi vëmendjen e madhe që ai personalisht i kushton reformës në fushën e drejtësisë si njërës prej reformave kyçe për forcimin e institucioneve dhe të shtetit ligjor në Shqipëri, por edhe për luftën ndaj korrupsionit brenda sistemit të drejtësisë. Në këtë kontekst Presidenti u shpreh se: “për të pasur një sistem funksional drejtësie duhet të promovohen njerëz me integritet dhe profesionalizëm e që kanë vullnetin e plotë për t’i çuar reformat më përpara. Për këto reforma do të duhet të punohet ngushtë me Komisionin e Venecias dhe ekspertët e EURALIUS-it, ku një rol shumë të rëndësishëm luajnë dhe ekspertët gjermanë.

 

Gjithashtu, Presidenti Nishani i kushtoi një vëmendje të veçantë edhe bashkëpunimit ekonomik mes dy vendeve duke evidentuar eksperiencën e mirë të deritanishme dhe mundësitë ende të pashfrytëzuara, veçanërisht në sektorët strategjikë si energjia, industria minerare, infrastruktura, bujqësia, etj.

 

Në përgjigje të interesit të Presidentit Gauck lidhur me numrin në rritje të azilkërkuesve shqiptarë, Kreu i Shtetit shqiptar vuri në dukje se ka udhëzuar qeverinë për të lehtësuar maksimalisht riatdhesimin dhe riintegrimin e tyre si dhe vijimin e fushatës sensibilizuese për dekurajimin dhe frenimin e këtij fenomeni shqetësues.

 

Presidenti gjerman Gauck e siguroi Presidentin Nishani se: “Gjermania do të vijojë ta ndihmojë Shqipërinë siç ka bërë deri më sot, deri në përmbushjen e plotë të reformave që e forcojnë më tej shtetin ligjor dhe që e afrojnë vendin tuaj me Bashkimin Evropian”.

 

Me shumë interes u bisedua edhe rreth çështjeve të sigurisë duke u fokusuar në kërcënimet që i vijnë shoqërisë së sotme nga organizatat terroriste dhe domosdoshmërinë për të reaguar në kohezion dhe koordinim mes vendeve partnere.

SHKARKO APP