Ngjela: Rama luftën e ka me perspektivën shqiptare
Kreu i Partisë Ligj dhe Drejtësi, Spartak Ngjela, përmes një postimi në Facebook i ka kërkuar kryeministrit Rama t’i japë fund sa më parë pushtetit gjyqësor të korruptuar, përmes reformës në drejtësi.
Ngjela shkruan se me këtë reformë, Rama ka në dorë të shkruajë perspektivën shqiptare, por duke u shkëputur më parë nga absolutizmi i pushtetit.
"Zoti Rama, luftën e ke me perspektivën shqiptare. A e ke kuptuar këtë? Duket sikur vapa po ngjitet te kushdo dhe po e mpin mëndjen e njerëzve për t'u kujtuar se çfarë po bëhet në këtë vend, dhe çfarë duhet bërë për të dalë nga kjo gjendje.
Kryesorja është se çfarë programi të ri ka qeveria aktuale. Deri tani asgjë të re. Ajo nuk po pranohet realisht nga politika amerikane, dhe jane ngrirë gjithashtu marrëdhëniet politikë me Bashkimin Europian.
Merkeli erdhi në Shqipëri dhe kërkoi institucionalizmin e shtetit shqiptar. Gjithçka që duhet të ndodhë duhet parë si një shkëputje nga absolutizmi. Politika perëndimore e di që absolutizmi shqiptar është prezent, edhe pse është rrëzuar një absolut si Sali Berisha.
Nuk ka mjaftuar; sepse nga Rama priteshin reforma institucionale në funkson të pushtetit. Institucionalizimi i ri i shtetit shqiptar është një vepër e madhe, të cilën ky kryeministër as që ka filluar ta mendojë realisht drejt edhe pse kuptohet që e dëshiron. Pikërisht këtu është bllokimi i poltikës së tij me botën politike përëndimore. Por si?
Para së gjithash, Rama duhet të fillojë të delegojë pushtetin, sepse e ka të pamundur me një imposibilitet absolut që të mund t'i drejtojë të gjitha vetë. Nuk e kuptonte dot kur erdhi në pushtet; por, nëse nuk e ka kuptuar ende, do të ikë në shtëpinë e tij pa lënë asnjë gjurmë në zhvillimin historik të këtij vendi; njëlloj si edhe të tjerët.
Pse i duhet absolutizmi një kryeministri, shteti i të cilit nuk ka para? Vëtëm nga patologjia. Por kjo s'mjafton. Paratë sigurisht që gjenden me poltikë, por ja që poltika e sotme nuk është ajo e viteve gjashtëdhjetë. Që të përfitosh materialisht nga Perëndimi, dhe të nisë zhvillimi real në Shqipëri, duhet zhbërë absolutizmishqiptar.
Paratë që do të sjellin zhvillimin duhet të injektohen në treg; por absolutizëm në një ekonomi tregu do të thotë klientelizëm. Ja pse kërkohet institucionalizmi ligjor i Shqipërisë, me një pikë garantizmi: pushtet gjyqësor i pakorruptuar. Ateherë? Kur do të fillojë kjo?
Këtë e ka në dorë ky Kryeministër, i cili duhet të largohet nga vetja për të organizuar mendjen, intelektin shqiptar dhe ligjin. Kjo është reforma. Me reformën e arsimit na tregoi se e ka këtë propensitet. Pushteti individual pa aspiracion historik është një vrimë në ujë (në funksion të historisë demokratike të nje vendi); por dhe një kërcënim personal i kryeministrit nga perspektiva.
Zoti Rama, e dini ju që perspektiva të mbyt, se nuk është ajo e skulpturës apo pikturës, por e historisë? A ka sot një perspektivë shqiptare? Jo, sot nuk ka një perspektivë shqiptare; prandaj Kryeministri shqiptar duhet ta mërrë në dorë këtë çeshtje dhe ta zhvillojë, nëse nuk do që vetë perspektiva t'i dalë kundër.
Ajo është ende "në pritje"; sepse Rama e ka fat që nuk ka një tjetër kundërshtar përballë që t'i rrezikojë pushtetin. Por kjo s'mjafton, sepse është e mjaftueshme vetëm për vegjetim, dhe jo për zhvillimin që kërkon perspektiva".