Niko Peleshi: Priten reshje më të dendura shiu, bëni kujdes!
Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi ka informuar mbi situatën e përmbytjeve në vend, teksa u bëri apel qytetarëve në zonat e rrezikshme që të kenë kujdes.
“Priten reshje të dendura shiu në vend. Lumi Vjosa është pranë niveleve kritike. Ka shtim të përmbytjeve në zonat e Nënshkodrës. Shkarkimet po bëhen në mënyrë të kujdesshme nga KESH. Gjatë ditës së djeshme përmendën dhe shkëputjet e energjisë elektrike. Ka pasur disa ndërprerje në zona të Shkodrës, Kukësit, apo dhe në Korçë. Sa i përket kuotave të lumenjve, Osumi është në rënie. Në Urën e Varur, ky lum është në kuota normale. Drini në Shkodër, është në kuotë normale. Niveli i liqenit të Shkodrës është dhe gjysmë metri nga kuota kritike. Buna ka dalë nga shtrati. Në Lezhë kemi pasur disa vërshime në disa rrugë të qytetit.
1200 forca janë në gatishmëri. Përsëris thirrjet për qytetarët në zonat e rrezikuara që të bëjnë kujdes. Të kenë kujdes në lëvizjet e tyre në orët në vijim, shmangni rrugët me prezencë uji, është i rrezikshëm, duket sikur është e kalueshme edhe pse ka vërshim uji. Por një vërshim përroi, siç fatkeqësisht ka pasur raste me viktima, nxjerr këmbësorin apo makinën nga rruga dhe bëhet rrezik për jetën”, tha Peleshi.