Niko Peleshi përplaset me Jorida Tabakun në Komisionin e Integrimit
Kreu i Grupit Parlamentar të PS, Niko Peleshi ka debatuar me kryetaren e Komisionit për Çështjet Europiane, Jorida Tabaku.
“Ta fillosh një mbledhje pa e deklaruar të hapur, pa parë nëse ka kuorum ose nëse s’ka, pa njoftuar se çfarë kemi në diskutim, të shfrytëzosh këtë mikrofon për të bërë deklarata, është shumë politike por nuk është qytetare.
Kjo deklaratë politike do t’ju lutesha qytetarisht të paktën këtu jo, të mos kemi marrje peng të mikrofonit dhe të vazhdojmë me deklarata politike duke injoruar atë që pritet sot nga ne. Ky është një hap shumë i rëndësishëm drejt anëtarësimit të Shqipërisë në BE. Procedura ishte totalisht e nëpërkëmbur”, tha Peleshi.
Në përgjigje të ligjvënësve socialistë, kryetarja e Komisionit, Jorida Tabaku, tha se opozita mbështet plotësisht procesin e integrimit, pasi kjo është në të mirën e shqiptarëve. Tabaku tha se kurrë nuk do të ndodhë që opozita e sotme të bllokojë proceset sikundër veproi PS kur ishte në opozitë që kushtëzoi mbështetjen e saj për integrimin me Kryetarin e Qarkut të Fierit. Tabaku tha se opozita s’mund të pranojë procese fasadë.