Nikolla: Skënderbeu na bëri ne, shqiptarët, ndër popujt themeltarë evropianë

Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla, ka përcjellë një mesazh në 555-vjetorin e vdekjes se Heroit Kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu.

555-vjet më parë, me vdekjen e Heroit Kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeut, në mes të acarit dimëror dhe rrethimeve të pushtuesve, shqiptarët mbetën pa kryeprincin, pa udhëheqësin politik dhe ushtarak, pa ideatorin dhe inspiruesin e bashkimit kundër Perandorisë Osmane.

Gjergj Kastrioti Skënderbeu, të cilin Papa Callisto III e mbiquajti Atleti i Krishtit dhe Mbrojtësi i Besimit, si edhe luftrat e tij, që u bënë parzmore e Evropës, Krishtërimit dhe Qytetërimit, janë origjina prej nga nisi ndërtimi i identitetit të shqiptarëve, si një ndër popujt themeltar evropianë, miti që dëshmon rrënjët tona evropiane dhe një nga frymëzimet më të fuqishme drejt familjes dhe vlerave perëndimore.

Skënderbeu ka frymëzuar artistë të shquar botërorë, si Rembrandi, Llongfellou dhe Vivaldi. Mbi njëmijë libra e vepra të tjera janë shkruar për figurën e tij.

Arkitekt i unitetit dhe kohezionit të shqiptarëve në luftën kundër pushtuesve, në të fundit fjalim të tij Ai na la një porosi të madhe: “S’ka asnjë shtet aq të fuqishëm dhe aq të shëndoshë që të mos shembet, kur i lëshon vendin mërive dhe grindjeve.” Nderimi më i madh për Heroin Kombëtar është të zbatojmë këtë testament”, shkruan Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla.

SHKARKO APP