Nikolla takohet me homologun izraelit: Nxisim bashkëpunimin dypalësh dhe sigurinë kibernetike si prioritet
Në vijim të qëndrimit në Izrael, pasditen e të mërkurës, Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla, u takua në Jeruzalem me Kryetarin e Knesset, Parlamentit të Izraelit, z. Mickey Levy. Në takim mori pjesë edhe Ambasadori i Shqipërisë në Izrael, Bardhyl Canaj.
Kryetarja Nikolla e falënderoi, Levy për takimin dhe vuri në dukje se Shqipëria dhe Izraeli janë vende mike, me një miqësi që daton para rreth dy mijë vjetësh. Vitet e fundit bashkëpunimi dypalësh është intensifikuar, me shkëmbimin e vizitave të personaliteteve të larta shtetërore të Shqipërisë në Izrael si edhe pas marrjes nga Shqipëria te vendit si anëtare jo e përhershme ne KS të OKB-së. Marrëdhëniet ekonomike po zgjerohen dhe konstatohet një shtim i bizneseve dhe investimeve izraelite në Shqipëri. Kohët e fundit po intensifikohet bashkëpunimi edhe në fushën e sigurisë kibernetike.
“Shqipëria në kohë të vështira ka shërbyer si një atdhe rezervë për hebrenjtë dhe është vendi i vetëm në Europë, ku të gjithë hebrenjtë u morën në mbrojtje dhe u shpëtuan gjatë Luftës së Dytë Botërore. Vendet tona kanë qëndrime të njëjta në mbrojtje të Ukrainës dhe sovranitetit e tërësisë territoriale të saj. Ju falenderojmë oër ndihmën ofruar ditët e fundit Shqipërisë për rritjen e sigurisë dhe mbrojtjen nga sulmet kibernetike”, vuri në dukje Nikolla.
Kryetari i Knesset, Mickey Levy, falënderoi Kryetaren Nikolla për vlerësimin e bashkëpunimit dypalësh dhe angazhimin e Kuvendit dhe të Shqipërisë në luftën kundër terrorizmit. Izraeli ka një përvojë të gjatë në përballimin e sulmeve terroriste nga grupe dhe shtete që mbështesin terrorizmit dhe do të ndihmojë Shqipërinë në fuqizimin e mbrojtjes dhe sigurisë prej terrorizmit kibernetik dhe ruajtjen e paqes në rajon e më gjerë. Shteti i Izraelit dhe Knesset e vlerësojnë shumë kontributin e Shqipërisë dhe lidershipin e saj rajonal në luftën kundër antisemitizmit. Kryetarja e Kuvendit Nikolla dhe Kryetari i Knesset Levy diskutuan edhe për aspekte konkrete të bashkëpunimit parlamentar.