Nis ndërtimi i inkubatorit bujqësor në Bashkinë Belsh, Gjiknuri: Rrit potencialet ekonomike
Në shtator pritet të hapë dyert në Bashkinë Belsh inkubatori bujqësor, një mundësi e artë për fermerët e zonës. Sekretari i Përgjithshëm i PS-së, Damian Gjiknuri, njëherësh dhe drejtues politik për Qarkun Elbasan dhe Kryetari i Bashkisë së Belshit, Arif Tafani inspektuan punimet për ndërtimin e këtij inkubatori në fshatin Seferan.
Bashkë me projektin për zhvillimin e turizmit në Liqenin Marinëz dhe krijimin e shtigjeve turistike, do të çojnë në një tjetër nivel agroturizmin e zonës. Gjiknuri nënvizoi se ky inkubator bujqësor do të jetë një mundësi shumë e mirë për fermerët për të shitur produktet e tyre.
”Kjo është një risi e mënyrës së kombinimit të bukurive të zonës, agro-kulturës me të gjitha aktivitetet outdoor që mund të zhvillohen në natyrë duke sjellë shumë turistë në këtë zonë të mrekullueshme të Belshit. Do kemi inkubatorin bujqësor që do të jetë një mundësi e mirë për të ekspozuar produktet e zonës. Të gjitha këto janë investime me karakter publik të bëra nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit në bashkëpunim me Bashkinë”.
Risi për këtë qytet së fundmi janë bërë edhe bujtinat, një shërbim i ri për turistët, të cilat po shtohen gjithnjë e më tepër. Për më tepër Gjiknuri nënvizoi se investime të tilla do të sjellim më shumë turistë dhe më shumë të ardhura për banorët.