Nis protesta. Protestuesit janë hundë më hundë me trupat speciale në Bulevard
Ka nisur protesta e thirrur nga kreu i PD-së, Sali Berisha edhe pse Tirana është e blinduar nga forcat speciale të Policisë së Shtetit për samitin e BE-së dhe Ballkanit Perëndimor.
Protestuesit kanë shpalosur një banderolë gjigade para nisjes së protestës që do të mbahet jashtë perimetrit të sigurisë në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. Thirrja është për shpëtim.
“Europe throw us a life vest”,-shkruhet në banderolë, që nga anglishtja në shqip përkthehet: Europë na hidh një jelek shpëtimi!
Ndërkohë te ura e Lanës, afër ish-hotel Dajtit në Bulevard protestuesit kanë ndaluar për momentin sepse përballë janë forcat speciale të policisë së shtetit të cilët kanë urdhër të mos i lejojnë të kalojnë.
Protestuesit janë ballë për ballë me forcat e ndërhyrjes së shpejtë dhe ato speciale.
Nuk dihet se si do të përfundojë kjo përballje e ftohtë për momentin sepse Bulevardi është bllokuar nga trupa të shtuara policore. Janë mbi 3 mijë forca rrotull Bulevardit të gatshme për të ndërhyrë me forcë.