Nis puna për shkollën e re “Pjetër Budi”, Veliaj: Kemi arritur në 46 shkolla të reja, do shkojmë në 55

Bashkia e Tiranës nisi rindërtimin e shkollës “Pjetër Budi”, për ta çuar në 46 shkolla të reja në total numrin e institucioneve arsimore në kryeqytet në 9 vjet. Me arkitekturë moderne dhe standarde shumë herë më të mira se shkolla e vjetër, shkolla e re do të jetë tre herë më e madhe se ajo ekzistuese. Godina do të përbëhet nga 28 klasa për nxënësit e ciklit 9-vjeçar dhe 2 klasa për ciklin parashkollor, duke eliminuar nevojën për të patur turn të dytë.

Fillimi i punimeve u ndoq nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili tha se shkolla e re do të jetë gati për vitin e ri arsimor. “Është vërtet gëzim sepse po lind diçka e re, siç është nostalgji se po çmontohet diçka e vjetër. Unë e kam kaluar disa herë këtë përjetim, e kuptoj edhe historinë e Teatrit, – ka shumë nostalgji për gjënë e vjetër – por do shohim përpara, jo mbrapa. Do punojmë për 100 vitet e ardhshme dhe jo për ato të kaluarat. Sot hapim një faqe të re! Një falenderim prindërve që janë treguar bashkëpunues. Ne do të shmangemi vetëm një vit nga “Pjetër Budi”, për të shkuar te “Vasil Shanto” dhe te “Sabaudin Gabrani”. E kemi afatin 12 muaj, do të mundohemi ta bëjmë për 10 muaj, që ta kapim shtatorin tjetër”, theksoi Veliaj.

Ai ironizoi edhe protestat e opozitës me bllokime rrugësh, teksa nënvizoi se përgjigjja më e mirë janë shkollat e reja. Veliaj shprehu bindjen se deri në fund të mandatit, numri i shkollave të reja do të shkojë në 55. “Kjo është shkolla e 46-të që ndërtojmë. Kur njerëzit më thonë ç’është ky fiksim me shkollat, u them se i vetmi antidot për dhunën, janë shkollat. Ata digj goma, ne ndërto shkolla; ata shty policinë, ne ndërto shkolla. Ata blloko rrugët, ne ndërto shkolla. Shkolla është ilaçi për çdo problem të shoqërisë. Nëse kemi çuna e goca të arsimuar, nëse janë përgatitur për punët e së ardhmes, të gjitha cic-micet, zhurmat e budallaqet e politikës së ditës nuk do i mbajë mend njeri, por shkolla do të ngelet këtu. Me shkollën e 46-të kemi ambicie ta përfundojmë punën në Bashkinë e Tiranës me 55 shkolla të reja në total”, tha ai.

SHKARKO APP