Nishani: 7 vjet pavarësi, Kosova ka qenë një shembull suksesi

Presidenti i Republikës, Bujar Nishani i dërguar një mesazh urimi Presidentes së Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga në të cilin shkruhet:

“E nderuar Zonja Presidente,

7-vjetori i Ditës së shpalljes së Pavarësisë së Republikës së Kosovës, më jep kënaqësinë e madhe e të veçantë, që në emër të qytetarëve shqiptarë dhe timin personal, t’Ju përcjell urimet më të mira e vëllazërore për mirëqenien dhe begatinë e Kosovës dhe të gjithë qytetarëve të saj.

Marrëdhëniet mes Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Kosovës, përtej marrëdhënieve ndërshtetërore, janë marrëdhënie vëllazërore, që i shërbejnë më së miri bashkëpunimit të gjithanshëm e strategjik në të mirë të qytetarëve të dy vendeve tona, por dhe bashkëpunimit në nivel rajonal e evropian.

Kosova sot është një shtet i pavarur dhe unë ndjehem shumë i lumtur që në këto shtatë vjet pavarësi, Kosova ka qenë një shembull suksesi. Pavarësia e Kosovës është një realitet i pakthyeshëm dhe koha po tregon se mbështetja e pavarësisë së Kosovës i ka shërbyer jo vetëm Kosovës dhe qytetarëve të saj, por edhe paqes e sigurisë në rajonin e Ballkanit si dhe të hapësirës evropiane.

Kam, gjithashtu, kënaqësinë që në këtë Ditë të Pavarësisë, të përshëndes të gjitha arritjet e deritanishme të Republikës së Kosovës, si brenda vendit ashtu edhe në nivel ndërkombëtar, si dhe të shpreh mbështetjen e palëkundur të të gjitha institucioneve të Republikës së Shqipërisë në procesin e anëtarësimit në organizatat rajonale dhe ato ndërkombëtare. Jam i bindur se shumë shpejt, Kosova do të zërë vendin që meriton në Organizatën e Kombeve të Bashkuara.

Me urimet më të mira për këtë ditë të shënuar për Republikën e Kosovës, Ju lutem pranoni e nderuar Zonja Presidente, konsideratat e mia më të larta.” – përfundon mesazhi i Presidentit Nishani.

SHKARKO APP