Nishani: Alfred Uçi, personalitet i vyer i akademizmit
Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, ka shprehur ngushëllimet e sinqerta personale dhe institucionale për ndarjen nga jeta të Akademikut të shquar, studiuesit të estetikës dhe profesorit të filozofisë, Alfred Uçi.
Me dhimbje dhe keqardhje të thellë mësova lajmin e hidhur për ndarjen nga jeta të filozofit dhe estetit sui generis, akademikut të shkëlqyer me shpirt aq të madh njerëzor, Alfred Uçi, i cili gjithë jetën dhe veprimtarinë e tij shkencore ua kushtoi studimeve estetike, filozofike dhe nxjerrjes në pah të vlerave më të çmuara të letërsisë e kulturës sonë kombëtare, thuhet në mesazhin e ngushëllimit të Kreut të Shtetit.
Profesori i ndjerë, thuhet më tej në mesazh, përveç veprave të shumta që na ka lënë pas, duke e pasuruar ndjeshëm trashëgiminë estetike, letrare dhe kulturore shqiptare, iu përkushtua me mish e me shpirt studimeve si estet akademik duke u angazhuar tërësisht në interpetimin filozofik dhe estetik që nga Rilindja jonë Kombëtare e deri tek shkrimtarët më të spikatur bashkëkohorë.
Me largimin e Tij nga kjo jetë, filozofisë, letërsisë, kulturës dhe akademizmit shqiptar do t’i mungojë pa masë ky personalitet i rrallë dhe aq i vyer, me dijet e pashtershme filozofike dhe estetike dhe natyrën e tij aq të qetë dhe mbresëlënëse, i cili la gjurmët e veta të pashlyeshme në disa fusha të dijeve albanologjike duke mundësuar njëkohësisht edhe zhvillimin e mëtejshmë të mendimit shkencor filozofik shqiptar, thuhet në mesazhin e Presidentit.
KOHA JONË SONDAZH

