Nishani: Bashkëjetesa fetare, shtyllë e ndërtesës së shtetit shqiptar
Presidenti Bujar Nishani mori pjesë në takimin e 20-të ndërkombëtar të Berlinit, ku ishin të pranishëm politikanë nga 50 shtete të botës, përfshirë Shqipërinë dhe vendet e Ballkanit Perëndimor.
Gjatë fjalës së tij, Nishani u fokusua në nevojën e ruajtjes së vlerave të përbashkëta morale e shoqërore si dhe në promovimin e harmonisë fetare në Shqipëri dhe rolit e kontributit të Shqipërisë në rajonin e Ballkanit Perëndimor.
“Shqipëria është një vend i vogël për nga përmasat e saj gjeografike, por ka në themel të saj një shoqëri multifetare, ku tre besimet kryesore, feja islame, ortodokse dhe ajo katolike bashkëjetojnë prej shekujsh në paqe e harmoni të plotë.
Këto modele bashkëjetese dhe harmonie fetare janë shtylla të qëndrueshme të ndërtesës së vetë shtetit shqiptar.
Pa asnjë paragjykim fetar, drejtuesit më të lartë dhe të të gjitha niveleve të institucioneve dhe administratës shqiptare tradicionalisht vijnë nga të gjitha besimet, duke ruajtur kështu me kujdes, ekuilibrat e shoqërisë shqiptare.
Por si asgjë që nuk mund të merret thjesht si e mirëqenë, shoqëria shqiptare e ruan me konservatorizëm dhe e promovon ndër breza këtë bashkëjetesë dhe harmoni”, tha Nishani.
Ai vlerësoi se mbështetja e Pavarësisë së Kosovës nga më shumë se gjysma e vendeve anëtare të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (108 vende anëtare të OKB-së) dëshmoi se ishte një vendim i drejtë në mbështetje të paqes dhe sigurisë në rajonin e Ballkanit.
“Një vendim që nuk drejtohej kundër ndonjë vendi apo etnie tjetër, por rivendosja në vend e një të drejte të mohuar e popullsisë shqiptare të Kosovës. Sot Kosova dhe Serbia zhvillojnë bisedime për çështje të ndryshme dhe, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian dhe mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, kanë arritur marrëveshje të rëndësishme, që ndikojnë jo vetëm në normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve dhe qytetarëve të tyre, por edhe të të gjithë rajonit”, tha ai.
Duke folur për bashkëpunimin në rajon, Presidenti Nishani theksoi se ngjarja e Kumanovës, tregoi dhe njëherë brishtësinë e stabilitetit dhe sigurisë së rajonit.
“Por me gjithë progresin e bërë nga rajoni, ngjarjet e Kumanovës pak javë më parë në Maqedoni dëshmuan edhe njëherë për brishtësinë e stabilitetit dhe sigurisë.
Ashtu si edhe partnerët ndërkombëtarë jemi shumë të interesuar për zbardhjen sa më parë dhe në mënyrë të besueshme të këtyre ngjarjeve, si dhe për mos shndërrimin e episodeve të tilla të paqarta në burim konflikti të paqenë ndëretnik.
Një frymë bashkëpunimi pozitiv vërehet edhe në agjendën e përbashkët evropiane, ku vendet kandidate në Bashkimin Evropian dhe ato potenciale kandidate, po bashkëpunojnë gjithnjë e më shumë për hartimin e projekteve të përbashkëta zhvillimore.
Bashkëpunimi rajonal nuk mund të jetë i plotë pa një zhvillim të qëndrueshëm dhe bashkëpunim të mirë ekonomik”, tha ai.