Nishani-Danielsson: Prioritet reforma në drejtësi

Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Bujar Nishani priti sot në një takim Drejtorin e Përgjithshëm për Zgjerimin në Komisionin Europian, z. Christian Danielsson me të cilin ka diskutuar mbi 5 prioritetet që BE i ka caktuar të përmbushë Shqipëria.

Presidenti vlerësoi angazhimin e Bashkimit Europian, përfshirë Komisionin dhe Parlamentin Europian, të cilët po bëjnë çdo përpjekje që Shqipëria të shënojë progres jo vetëm në përmbushjen e 5 prioriteteve, por edhe për konsolidimin e parimeve dhe standardeve demokratike dhe europiane. Kreu i Shtetit theksoi se kryefjala e suksesit të reformave në vend është gjithëpërfshirja, jo thjesht dhe vetëm në optikën e ngushtë partiake, por duke përfshirë ekspertizën më të mirë vendase dhe europiane. Në këtë kontekst, Presidenti Nishani vuri në dukje vizitën që zhvilloi së fundmi Presidenti i Komisionit të Venecias në Tiranë, duke siguruar për angazhim maksimal në realizimin e reformës në drejtësi.

Zoti Danielsson vlerësoi rolin e Presidentit të Republikës, i cili së bashku me deputetët e Parlamentit Europian arritën të sjellin palët politike së bashku, dhe në këtë kontekst theksoi se gjithëpërfshirja është kyçe për realizimin e reformave, veçanërisht asaj që të gjithë konsiderojmë prioritare, reformën në drejtësi. Zoti Danielsson u shpreh se Komisioni Europian do të vazhdojë të investohet në Shqipëri, dhe se 5 prioritetet janë plotësisht të qarta, por fokusi duhet të zgjerohet edhe përtej, duke sjellë si shqetësim klimën e biznesit në vend, si dhe çështjen e pronësisë.

Swiss Digital Desktop Reklama

Më tej biseda u përqendrua në punën që po bëhet për përgatitjen e takimit të radhës të Dialogut të Nivelit të Lartë mes Shqipërisë dhe Bashkimit Europian. Presidenti Nishani u shpreh se do të mbështesë fort krijimin e Këshillit Kombëtar për Integrimin Europian, me shpresën se ky do të jetë rezultat i bashkëdakordësisë të të gjitha palëve për adoptimin e modelit më të suksesshëm dhe në interesin më të mirë të qytetarëve shqiptarë.

Swiss Digital Mobile Reklama

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Mendoni se Berisha do ta bllokojë kryeministrin me turma popullore?