Nishani: Dënoj me forcë aktet barbare
Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, në kuadrin e vizitës zyrtare në Këshillin e Evropës dhe institucionet e tij, u takua sot me Sekretarin e Përgjithshëm të organizatës, zotin Thorbjørn Jagland. Presidenti Nishani shprehu që në fillim keqardhjen për viktimat e sulmit terrorist të mëngjesit të sotëm në Bruksel, si dhe dënoi me forcë këto akte barbare, duke shprehur solidaritetin me popullin dhe autoritetet belge.
Presidenti Nishani shprehu gjithashtu mirënjohjen për rolin dhe kontributin e rëndësishëm që Këshilli i Evropës në drejtim të promovimit të demokracisë, të drejtave të njeriut dhe shtetit të së drejtës në të gjithë kontinentin evropian, si dhe për ndihmën dhe asistencën e vazhdueshme që Këshilli i Evropës i ka ofruar Shqipërisë ndër vite, duke mbështetur reformat e ndërmarra me synim përmirësimin e standardeve në tre shtyllat e organizatës.
Kreu i Shtetit vlerësoi bashkëpunimin e frytshëm mes Shqipërisë dhe Këshillit të Evropës, veçanërisht në periudhën e fundit të lidhur me reformën në drejtësi, ku Komisioni i Venecias ka dhënë një kontribut shumë të rëndësishëm. Duke vlerësuar këshillimin ligjor nga Komisioni i Venecias, Presidenti theksoi se “opinioni përfundimtar për amendimet kushtetuese do të ndihmojnë klasën politike shqiptare për të vijuar me përkushtim reformën në drejtësi”.
Presidenti Nishani e siguroi Sekretarin e Përgjithshëm Jagland për vullnetin dhe angazhimin e institucioneve shqiptare për të vijuar bashkëpunimin me Këshillin e Evropës tashmë të formalizuar në dokumentet dyvjeçare programatike të bashkëpunimit.
Presidenti i Republikës i kushtoi një vëmendje të veçantë dhe afrimit të Kosovës me Këshillin e Evropës, duke vlerësuar intensifikimin e kontakteve të drejtpërdrejta me autoritetet kosovare. Kreu i Shtetit theksoi se “afrimi i mëtejshëm i Kosovës me Këshillin e Evropës do t’i kontribuojë përparimit dhe konsolidimit demokratik të Kosovës, si dhe stabilitetit dhe prosperitetit të rajonit të Ballkanit”.Duke iu referuar zhvillimeve në Ballkanin Perëndimor, Presidenti Nishani theksoi faktin se sot ky rajon është kthyer në rajon mundësish dhe bashkëpunimi, ku Shqipëria pa dyshim vijon me konsekuencë të kontribuojë për fqinjësinë e mirë, bashkëpunimin dhe prosperitetin e rajonit.
Në vijim gjendet deklarata e plotë për shtyp dhënë nga Presidenti Nishani pas takimit me Sekretarin e Përgjithshëm të Këshillit të Evropës, Thorbjørn Jagland.
Para së gjithash dëshiroj të shpreh mirënjohjen dhe falënderimet Sekretarit të Përgjithshëm për mikpritjen dhe për mbështetjen që na dha ai personalisht si dhe të gjithë ata që punojnë në Këshillin e Evropës! Ishte një rast i mirë që të shpreh personalisht si dhe emër të popullit shqiptar mirënjohjen për mbështetjen e madhe dhe frymëzimin si dhe inkurajimin që Këshilli i Evropës na ka dhënë përgjatë rrugëtimit tonë drejt demokracisë dhe konsolidimit e ndërtimit të shtetit, mirëfunksionimit të institucioneve.Ndamë së bashku pikëpamjet mbi vlerat dhe parimet të cilat Këshilli i Evropës i ndan me të gjitha vendet dhe pata mundësinë që shkurtimisht t’i paraqisja Sekretarit të Përgjithshëm mendimet dhe idetë mbi qasjet dhe arritjet në Shqipëri për sa i përket demokracisë, të drejtave të njeriut dhe në të njëjtën kohë ndamë mendimet mbi sfidat që po përballen këto ditë demokracitë tona, si dhe qytetërimi në botë. Dëshiroj të përfitoj nga ky rast që të shpreh në emrin tim, por edhe në emër të popullit shqiptar ngushëllimet për familjet e viktimave të shkaktuara nga akti terrorist në Bruksel si dhe gjithashtu solidaritetin e shqiptarëve për popullin belg! Ne do të jemi të bashkuar dhe të fortë për ta sfiduar këtë kërcënim, këto akte barbare, që nuk përfaqësojnë vlerat sidomos ato të fesë si bashkëjetesa, harmonia dhe respekti.Ashtu si e përmendi edhe Sekretari i Përgjithshëm, Shqipëria jep një shembull shumë të mirë jo vetëm tek ne, por edhe në rajonin tonë, të cilin ne do të donim ta promovonim edhe në nivel evropian: bashkëjetesa dhe harmonia dhe respekti mes feve të ndryshme. Në të njëjtën kohë ne jemi të përkushtuar fuqimisht për të sfiduar dhe luftuar terrorizmin. Qytetërimi është i fortë dhe ne jemi të bashkuar. Ndihemi të fuqishëm dhe të aftë për të mposhtur këto akte terroriste. Ato nuk do ta trembin kurrë demokracinë tonë. Ato kurrë nuk do t’ia dalin dot mbanë të frikësojnë qytetërimin tonë, njerëzit tanë, jo vetëm sepse jemi vërtet të bashkuar, por qytetërimi ynë është i fortë dhe ne do ta mposhtim këtë kërcënim.
Ndava me Sekretarin e Përgjithshëm dhe e informova atë për reformat e thella të brendshme në vendin tonë, sidomos për atë në gjyqësor, e cila përbën objektivën dhe përparësinë kryesore këto ditë. Pata edhe rastin të përcjell në emrin tim dhe atë të Institucionit të Presidentit të Republikës, edhe në emër të popullit shqiptar, të Parlamentit shqiptar dhe të forcave politike, mirënjohjen tonë për Komisionin e Venecias, që na ka qëndruar pranë duke e udhëhequr këtë proces të reformës gjyqësore me ekspertizën e tij të shkëlqyer dhe tani, aktorët shqiptarë, që janë të përfshirë në reformë, po punojnë ngushtësisht me rekomandimet e Komisionit të Venecias, të cilat janë udhërrëfyesit dhe mbi bazën e të cilave ne po punojmë që të realizojmë një reformë të vërtetë e të thellë për pasur një sistem gjyqësor efiçient, të përgjegjshëm, llogaridhënës dhe të pavarur.
Diskutuam dhe ndamë mendime edhe për vlerat dhe nevojën e një medie të lirë, për të drejtat e pronës, për kontributin e Shqipërisë në rajon, etj. Rajoni ynë ka qenë i vështirë në të kaluarën, por në ditët e sotme Ballkani është rajoni i mundësive dhe shanseve dhe të gjithë popujt dhe vendet e rajonit duhen t’i shfrytëzojnë këto shanse, duke punuar së bashku, duke përdorur dialogun si frymën kryesore. Në të njëjtën kohë e përmenda që Shqipëria mbështet plotësisht dialogun dhe marrëveshjet e arritura mes Kosovës dhe Serbisë dhe tashmë, pas luftës, pas fitimit të lirisë dhe pavarësisë së Kosovës, kemi arritur situatë paqeje dhe stabiliteti në rajon. Shpresoj shumë që edhe Kosova do të bëhet pjesë e Këshillit të Evropës, e kësaj organizate, sepse ajo meriton të jetë kontribuese në këtë fushë.
Në të njëjtën kohë e garantova Sekretarin e Përgjithshëm dhe nëpërmjet tij, Këshillin e Evropës se Shqipëria është një partnere serioze, që do të ofrojë kontributin e saj duke mos qenë vetëm një konsumuese e demokracisë dhe mundësive që ofrohen nga Këshilli i Evropës, por në të njëjtën kohë, edhe kontribuese ndaj këtyre vlerave në zonën tonë.(Express)
KOHA JONË SONDAZH

