Nishani: Do marrim masa kundër dhunës në familje

Presidenti i Republikës, Bujar Nishani priti sot në një takim një grup përfaqësues të “Aleancës së Grave Deputete”, për t’u konsultuar e diskutuar lidhur me nismën e tyre për një aksion kombëtar kundër dhunës me bazë gjinore.

Zyra e shtypit e Presidencës bëri të ditur se Presidenti Nishani e vlerësoi si shumë të rëndësishëm zhvillimin e këtij takim, për një temë kaq sensitive për të gjithë shoqërinë shqiptare, duke theksuar se gjendja aktuale është e patolerueshme, kërkon një angazhim të palodhur dhe një axhendë të plotë e dinamike veprimi institucional dhe shoqëror. Kreu i shtetit premtoi se do ta trajtojë me përparësi publikisht dhe institucionalisht këtë çështje, përfshirë në cilësinë e tij si Kryetar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë.

Presidenti bëri me dije se ka kërkuar takim të posaçëm me Prokurorin e Përgjithshëm pikërisht për këtë temë, si dhe faktin se do të verë menjëherë në lëvizje edhe më dinamike KLD-në për inspektimin tematik të Gjykatave për vitet 2013-2014, në trajtimin e çështjeve të dhunës në familje dhe mbi bazë gjinore
Kryetarja e AGD-së, Mesila Doda falënderoi Presidentin për mbështetjen e menjëhershme ndaj apelit dhe aksionit të nisur nga AGD-ja, në sensibilizimin institucional dhe shoqëror kundër dhunës me bazë gjinore. Të alarmuara nga rritja e numrit të krimeve ndaj grave, dhe dhunës në familje në përgjithësi, AGD synon së pari sensibilizimin e të gjithë opinionit publik, dhe së dyti një monitorim më të rreptë ndaj zbatimit të ligjit nga institucionet përgjegjëse. Në këtë kontekst, ajo vlerësoi se angazhimi i Presidentit të Republikës, padyshim i shërben ngritjes së kësaj çështjeje në nivel edhe më të lartë dhe të merituar.

Swiss Digital Desktop Reklama

Deputetja Mimoza Hafizi vuri në dukje se AGD-ja është një aleancë gjithë-partiake, e cila ka në fokus rritjen e pjesëmarrjes së grave në politikë dhe jetën publike, fuqizimin ekonomik të grave, dhe trajtimin e të gjithë problematikave që gratë ndeshin në jetën e tyre të përditshme. Ajo vlerësoi si shumë të rëndësishëm bashkëpunimin e AGD-së me Presidentin e Republikës për t’i dhënë dimensionin e duhur e të munguar kësaj sfide të vërtetë me të cilën përballet shoqëria shqiptare.
Deputetja Majlinda Bregu duke vlerësuar edhe një herë angazhimin e Presidentit dhe thirrjen e këtij takimi konsultues, theksoi se çështja e dhunës kundër grave dhe dhunës në familje duhet parë domosdoshmërisht si çështje e të drejtave të njeriut, dhe si e tillë është një nga pesë kushtet prioritare të vendosura nga Komisioni Evropian për avancimin e mëtejshëm të Shqipërisë në procesin e saj të integrimit. Ajo gjithashtu nënvizoi se ky proces nuk duhet parë i ndarë në gjini, por si një sfidë që u përket të gjithëve, qoftë grave qoftë burrave, si pjese e pandashme e një cikli që riprodhon pasoja zinxhir në shoqëri.
Mësohet se biseda më tej u zhvillua mbi diskutimin e masave e aktiviteteve konkrete të propozuara nga Presidenti i Republikës dhe Deputetet e AGD-së, për të cilat u ra dakord se do të ndiqen në mënyrë të koordinuar, bashkë me aktorë të tjerë, për të qenë sa më efikas në këtë sfidë që ka përballë shoqëria shqiptare.

Swiss Digital Mobile Reklama

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Mendoni se Berisha do ta bllokojë kryeministrin me turma popullore?