Nishani: Kapoja është i tmerruar!

Nga Bujar Nishani –

Çdo ditë e më shumë agjensitë ndërkombëtare ligjzbatuese dhe media prestigjoze ndërkombëtare vijojnë të ngrenë alarmin mbi krimin e organizuar në Shqipëri, trafikun e drogës nga kanabisi e deri tek kokaina si dhe paprekshmërinë e bandave kriminale.

Një prej mediave kryesore italiane prezantoi një situatë të tmerrshme të veprimtarisë së krimit të organizuar në Shqipëri duke denoncuar njëkohësisht lidhjet e forta të tij me pushtetin politik.

Kultivimi dhe trafikimi i kanabisit rritet brenda një viti me 1200% dhe ai i kokainës me përmasa si kurrë më parë. Si çdo herë tjetër në këto 7-të vite të një qeverisje të inkriminuar, kryeministri i vendit sulmoi pa skrupull median italiane.

Kjo nuk përbën ndonjë të papritur për opinionin pasi kryeministri i Shqipërisë është dëshmuar tashmë si një armik i medias së lirë.

Tashmë rilindsi shqiptar guxoi të përgënjeshtroi raportet sekrete të policisë italiane, sipas medias atje, madje dhe deklaratat e prokurorit antimafia.

Qeveria e SHBA shpalli përmes Ambasadores së SHBA në Tiranë si një ndër tre prioritetet e angazhimit amerikan në Shqipëri, luftën ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Kjo tregon se një nga tre problenet më të mëdha që mbart Shqipëria është korrupsioni dhe krimi i organizuar.

Nuk është fare koincidencë që brenda një viti kemi rritje 1200% të trafikut të drogës, lirimet skandaloze nga burgjet të krerëve të krimit të organizuar dhe caktimit në krye të institucioneve më të rëndësishme të drejtësisë të familjarëve të eksponentëve politikë socialistë.

Jo, kjo nuk është koincidencë!

Kjo është platforma e asgjesimit të shtetit shqiptar, platforma e shpopullimit të vendit nga shqiptarët.

Kjo është platforma më e egër antishqiptare e shekullit të 21–të.

Situata që jetojmë është padyshim konkludim i zbatimit të kësaj platforme.

Politizimi ekstrem i policisë në të njëjtit nivel që ai ishte në vitin 1990, jo vetëm ka nxjerrë policinë e shtetit jashtë funksionit të saj kushtetues, jo vetëm ka strukur profesionistët në rradhët e saj, por ka “trimëruar” çdo bandit e gangsterr, qyteteve dhe lagjeve të Shqipërisë.

Dështimi i drejtesisë nuk duket vetëm tek shkëlqimi i faqes së zezë të një korrupsioni masiv por edhe tek lëshimi i qelive të burgut të kapove të krimit të organizuar dhe vrasësve serial, futja e të cilëve pas atyre hekurave mori shumë punë, mund, sakrifica e kurajo madje dhe jetë të oficerëve të policisë së shtetit.

Gjithshka nis e përfundon tek inkriminimi i politikës, bashkëpunimi i pushtetit politik me krimin, vënia e institucioneve të shtetit nën influecën e krimit, prodhimi i pushtetit prej angazhimit të krimit në rezultatin e zgjedhjeve politike e për rrjedhojë vënien e shtetit në shërbim të axhendës së krimit të organizuar.

Kjo lloj politike sot pas 7 vitesh qeverisje, me çdo pushtet në duar, xhepa e skuta, nis e na tregon për ligje speciale që po bën kundër krimit të organizuar !

Shumë pak t’i quash sharlatanë!

Këta, që Ligjin Antimafia e kanë ngrirë e asgjesuar që prej 2013 kur uzurpuan zyrat e shtetit, tashmë ende na flasin për ligje speciale !

Përpara se t’u tregojnë shqiptarëve barcoleta me kçk, duhet tu tregojnë pse nuk ka funksionuar në asnjë rast “ligji antimafia” ?

Pse nuk është vënë ai në zbatim prej 7 vitesh, kur trafiku i drogës është shtuar, veprimtaria e krimit të organizuar është bërë shqetësim edhe për Evropën ?

Por në asnjë rast mafia nuk ka përndjekur vetveten.

Mafia kap pushtetin për ti shërbyer vehtes, për të garantuar paprekshmërinë e aktivitetit kriminal, ndërsa ai forcohet e sofistikohet më tej.

Ligjet antimafia do të mbeten të mbyllura në kasafortat e politikës së korruptuar dhe të inkriminuar përsa kohë koka e drejtësisë është kapur nga vëllezër dhe motra, kunata dhe kunetër eksponentësh qeveritar e partiak.

Përsa kohë shteti dhe drejtësia është kapur nga kapo i klubit të krimit (KKK) !

Prej 5 vitesh shqiptarët u ushqyen me premtimin e një shteti ligjor dhe së drejtës.

Me shpresën e nisjes së një drejtësie të re.

Reforma në drejtësi ishte vrima e vetme e fyellit socialist në 7 vite, pa ndalim.

Sot, pas 7 vitesh të fyellit socialist, nuk kemi Gjykatë Kushtetuese, nuk kemi Gjykatë të Lartë !

Kemi super vrasësit të dalë nga burgjet, kemi militantët partiakë e familjarë qeveritarë në krye të drejtësisë.

Ambasadorja e re SHBA ka artikuluar këto ditë nevojën për një reformë (appropriate) “të pershtatëshme” të drejtësisë.

Askush prej partnerëve ndërkombëtarë të përfshirë në proçesin e reformës në drejtësi nuk ka artikuluar kurrë më parë, nevojën për një drejtësi të pavarur dhe një reformë të përshtatëshme “appropriate”.

Historia na ka mësuar se çdo gjë që nuk është e përshtatëshme “appropriate”, është për rrjedhojë e papërshtatëshme “inappropriate” !

Ndaj nuk ka asnjë surprizë që ky lloj modeli rreket të përgënjeshtrojë edhe agjensitë ndërkombëtare e madje dhe vetë antimafian.

Ai më së pari është fataliteti ynë, që përjetojmë e duhet me çdo kusht ta ndryshojmë.

Tashmë nuk përbën më asnjë problem propaganda e parave të pista dhe populistëve të korruptuar.

Tashmë ka nisur koha e një beteje të fortë pa kthim.

Kapoja është i tmerruar !

SHKARKO APP