Nishani merr pjesë në Samitin e Paqes dhe ceremonitë përkujtimore të Çanakalesë

 

Presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani, mori pjesë në Samitin e Paqes dhe ceremonitë e përkujtimit të 100-vjetorit të betejave tokësore e detare të Çanakalesë, zhvilluar në Stamboll dhe Çanakale, i ftuar nga homologu i tij turk, Erdogan. 

Në nderim të luftëtarëve me kombësi shqiptare, të rënë në betejat e Çanakalesë, por jo vetëm, Presidenti Nishani vendosi në Monumentin e Heroit një kurorë me lule në emër të Shqipërisë. Gjithashtu, ai bëri homazhe në varret e ushtarëve të rënë në këtë betejë.

Kreu i Shtetit mori pjesë edhe në ceremonitë e organizuar nga Britania e Madhe dhe Irlanda e Veriut në monumentin Cape Helles Commonwealth, ndërtuar për nder të luftëtarëve të rënë në këto beteja; britanikë, irlandezë, australianë, neozelandezë e kanadezë. Këto ceremoni u kryesuan nga Princi Charles i Uellsit dhe Presidenti i Irlandës Higgins, ku i pranishëm ishte dhe Presidenti i Turqisë, Erdogan.

Gjatë pjesëmarrjes në aktivitetet e Samitit dhe në ceremonitë përkujtimore të betejave të Çanakalesë, Presidenti Nishani bashkëbisedoi, për çështje me interes dypalësh e shumëpalësh, me Presidentin Erdogan, Princin Charles të Uellsit, Kryeministrin e Zelandës së Re, si dhe me homologë të vendeve të rajonit e më gjerë.
/ Top Channel 

SHKARKO APP