Nishani nderon Nuncin Apostolik, me Dekoratën “Nënë Tereza”

Në mjediset e Institucionit të Presidentit të Republikës u zhvillua sot ceremonia e dekorimit të Sh.T. Kryeipeshkv Ramiro Moliner Inglés, i cili u vlerësua nga Kreu i Shtetit shqiptar me Dekoratën “Nënë Tereza”për kontributin e veçantë e të çmuar në forcimin e lidhjeve dhe intensifikimin e bashkëpunimit midis Republikës së Shqipërisë dhe Selisë së Shenjtë, mbështetjen e procesit të lumturimit të klerikëve shqiptarë të martirizuar nga regjimi komunist, si dhe në promovimin e harmonisë fetare të kombit shqiptar. Të pranishëm në këtë ceremoni ishin drejtues të klerit katolik në Shqipëri si dhe Ambasadorja e Mbretërisë së Spanjës, Silvia Josefina Cortés Martín.

Fjala e Presidentit Nishani: 

“I nderuar Shkëlqesia Juaj Nuncio,

Swiss Digital Desktop Reklama

I nderuar Imzot Massafra dhe Imzot Rrok Mirdita!

Swiss Digital Mobile Reklama

Shkëlqesia Juaj Ambasadore,

Të nderuar Klerikë dhe të pranishëm!

Mirë se keni ardhur në Institucionin e Presidentit të Republikës! Sot, kam kënaqësinë që të organizoj këtë takim ceremonial me të gjithë ju, për një arsye shumë të veçantë. Normalisht, çdo ditë të jetës e konsideroj si një mundësi të artë, së paku, për të shprehur mirënjohjen për diçka ose për dikë. Prandaj edhe sot, në cilësinë e Presidentit të Republikës dhe në emër të popullit shqiptar, dëshiroj që në prezencën tuaj t’i shpreh zyrtarisht mirënjohjen Nuncit Apostolik, Shkëlqesisë së Tij Imzot Inglés, për kontributin e veçantë dhe shumë të rëndësishëm që ai personalisht dha në inicimin dhe realizimin e vizitës së Papa Françeskut në Tiranë, në shtatorin e vitit që sapo lamë pas.

Vizita ishte kulminacioni i punës së palodhur dhe kontributit të Nuncit, të Ambasadës së Selisë së Shenjtë në Tiranë, si dhe e të gjithë klerikëve katolikë që u përfshinë për rreth një vit në realizimin e saj. Falë këtij kontributi të rëndësishëm, por sigurisht jo vetëm, u bë e mundur që për herë të dytë në njëzet e një vjet, Shqipërinë ta vizitojë përsëri një Papë. Shqiptarët u ndjenë të nderuar dhe të privilegjuar që Papa Françesku zgjodhi Shqipërinë për të hapur siparin e vizitave të tij në Evropë, si dhe për t’i përcjellë mbarë botës mesazhin e tij apostolik. Të nderuar e të privilegjuar ndihemi edhe për faktin se kjo ishte dhe vizita e katërt ndërkombëtare papnore, që nga zgjedhja e Papa Françeskut si Ipeshkv i Romës, më 13 mars 2013.

Vizita e Papa Françeskut u zhvillua në një moment shumë të rëndësishëm për Shqipërinë dhe shqiptarët, por në një kontekst shumë të ndryshëm nga ajo e Papa Gjon Palit të Dytë, që ndryshe ne shqiptarët e njohim dhe si Papa Vojtila, në prillin e vitit 1993.

Dëshiroj ta evidentoj këtë fakt se, 21 vite më parë, kur Papa Vojtila vizitoi Shqipërinë, ne shqiptarët sa kishim shembur regjimin më të egër komunist të aplikuar ndoshta në të gjithë Evropën, ku dhe besimi në Zot ishte i ndaluar me ligj dhe ku kultet fetare në masën dërmuese të tyre u demoluan apo në mënyrë poshtëruese e djallëzore u konvertuan në qendra propagandistike kulturore apo salla sportive. Demokracia ishte në ditët e para të saj në Shqipëri dhe mesazhi papnor i atëhershëm ishte në mbështetje të lirisë që ne shqiptarët sapo kishim fituar dhe do të duhej të menaxhonim, si dhe për nevojën e rikthimit të besimit jo vetëm te të krishterët, por te të gjithë shqiptarët.

Ndërsa mesazhet e dhëna nga Papa Françesku, ishin fatmirësisht shumë më të ndryshme dhe që reflektonin zhvillimet pozitive të dy dekadave të fundit në Shqipëri, konsolidimin e demokracisë dhe shtetit të së drejtës. Ati i Shenjtë pati mirësinë që krahas mesazheve papnore, të shprehte edhe mbështetjen për Shqipërinë, duke e quajtur atë tokë martirësh e duke evokuar vuajtjet, sakrificat dhe persekutimin e egër të regjimit komunist kundër klerit në Shqipëri. Ai shprehu mbështetjen për shqiptarët, duke i kushtuar një vëmendje të veçantë raporteve shumë të mira ekumenike dhe ndërfetare që ekzistojnë në Shqipëri. Përmes mesazheve, Ati i Shenjtë na ka bërë të ndihemi krenarë dhe na inkurajoi për ta ruajtur e promovuar me devocion këtë vlerë unikale që ne kemi. Ai na frymëzoi për më shumë dashuri e solidaritet, për më shumë përkushtim e mirënjohje.

Mirënjohja ime dhe e popullit shqiptar shkon sot për Nuncin Apostolik, Imzot Inglés, i cili me profesionalizmin, eksperiencën dhe modestinë kristiane që e karakterizon, na e bëri më të lehtë e më të bukur punën përgatitore të vizitës. Shpreh vlerësim maksimal për bashkëpunimin e ngushtë që ai pati me mua, stafin tim dhe të gjitha institucionet shqiptare të përfshira në realizimin e vizitës.

Nuk mund të rri pa përmendur e vlerësuar këtu, punën dhe mbështetjen që Nunci Apostolik ka dhënë në procesin e lumturimit të klerikëve shqiptarë të martirizuar nga regjimi komunist, si dhe në promovimin e harmonisë dhe bashkëjetesës fetare të kombit shqiptar. Ashtu sikurse arritjet më të mëdha realizohen me miq të mirë e të besuar, ashtu dhe ne ndihemi thellësisht të privilegjuar që kemi miq si Shkëlqesia e Tij, Imzot Inglés, të cilët kontribuojnë me dashamirësi të plotë në përçimin e këtyre vlerave shqiptare përtej kufijve.

Ndaj dhe unë sot, mirënjohjen time dhe të popullit shqiptar do ta shpreh duke e vlerësuar Nuncin Apostolik me Dekoratën që ne shqiptarët nderojmë personalitete vendase e të huaja dhe që mban emrin e humanistes së madhe me origjinë shqiptare, Nënë Terezës. Jam i bindur se puna dhe angazhimi i Nuncit për finalizimin e projekteve të nisura së bashku, të tilla si: Finalizimi i procesit të Lumturimit të klerikëve shqiptarë të martirizuar nga komunizmi dhe promovimi i një Kardinali me origjinë nga Shqipëria; e të tjera projekte në vijim, do ta forcojnë edhe më shumë miqësinë e shqiptarëve me Selinë e Shenjtë. Edhe njëherë faleminderit i nderuar Nunc për gjithçka që keni bërë dhe ju lutem përcillini Papa Françeskut përshëndetjet e mia më të përzemërta dhe ato të gjithë shqiptarëve!”

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Mendoni se Berisha do ta bllokojë kryeministrin me turma popullore?