Nishani: Nëse Kuvendi e vendos, Basha shkarkohet që të nesërmen si kryetar
Ish-presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani thotë se nëse Kuvendi Kombëtar i PD e vendos, Lulzim Basha shkarkohet nga nesër si kryetar. Po ashtu ai thekson se Kuvendi e ka fuqinë për një vendim të tillë, madje ”Kuvendi edhe shkrin partinë fare”.
Blendi Fevziu: E shkarkon dot Bashën një Kuvend i mbledhur?
Bujar Nishani: Varet se çfarë vendimesh do të marrë Kuvendi për ndryshimet në statut
Blendi Fevziu: E ka këtë të drejtë?
Bujar Nishani: Patjetër!
Blendi Fevziu: Të shkarkojë edhe kryetarin edhe pse ai është zgjedhur me parimin 1 anëtar, 1 votë?
Bujar Nishani: Në qoftë se ndryshon statutin dhe e parashikon… Shiko, Kuvendi mblidhet dhe miraton ndryshimet… që nga dita 2 e ndryshimit mbi statut vepron mbi bazën e atyre ndryshimeve të reja që ka bërë në Kuvendin Kombëtar. Nëse vendos që Kuvendi mund ta shkarkojë dhe mënyrën si e shkarkon, atëherë të nesërmen Kuvendi vepron me mënyrën si e ka vendosur nenin e ri në statut.
Blendi Fevziu: Pra që të nesërmen?
Bujar Nishani: Nëse vendoset në Kuvend, patjetër!
Blendi Fevziu: E ka fuqinë Kuvendi ta marrë këtë vendim?
Bujar Nishani: Kuvendi edhe shkrin partinë fare!
Blendi Fevziu: Po nëse Kuvendi kontestohet nga Kryesia e PD?
Bujar Nishani: Nuk ka fuqi. Asnjë institucion nuk ka fuqi mbi Kuvendin. Kuvendi është omnipotent mbi të gjitha institucionet e tjera.
Blendi Fevziu: Po nëse e çojnë në gjykatë?
Bujar Nishani: Është e drejta e gjithsekujt të shkojë në gjykatë. Kuvendi vendos çdo ndryshim.
Blendi Fevziu: Kuvendi derisa të zgjidhet çështja në gjykatë, kush e drejton partinë?
Bujar Nishani: Atë e vendos Kuvendi në statut.
Blendi Fevziu: Pra ata mund të çojnë në gjykatë vendimet e Kuvendit, por jo ta bllokojnë Kuvendin.
Bujar Nishani: Nuk e bllokon Kuvendin kurrkush.
Blendi Fevziu: Po nëse merret një masë pezullimi që Kuvendi të mos mblidhet?
Bujar Nishani: Kush ta pezullojë?
Blendi Fevziu: Gjykata!
Bujar Nishani: Nuk ka të drejtë gjykata të hyjë në jetën e brendshme politike të një partie.