Nishani: Pakti në darkën me Ramën dhe Metën dhe si kryeministri shkeli premtimin
Presidenti Bujar Nishani rrëfen për herë të parë bisedimet me maxhorancën për ndryshimet në ligjin e Gjykatës së Lartë. Në një intervistë për gazetën “Panorama”, ai flet për një darkë me eksponentët më të lartë të maxhorancës, mes të cilëve Kryeministri Edi Rama dhe kreu i Kuvendit Ilir Meta, ku u diskutua për draftin që po përgatiste shumica. “Është e vërtetë që jam ftuar në një takim nga gjashtë eksponentë më të lartë të maxhorancës, ku kemi diskutuar për reformën në drejtësi dhe për çështjen e procesit të emërimit të gjyqtarëve te Gjykata e Lartë. Ky ka qenë një takim krejtësisht informal. Më ka lënë një përshtypje tepër të fortë, në sensin e nivelit të seriozitetit, se si një takim i tillë (krejt normal të jenë të shpeshtë për çështje shtetërore midis drejtuesve të institucioneve më të larta të vendit) është transplantuar si një argument juridik në relacionin e ligjit. Për më kryesoren, krejt i pavërtetë”, shprehet Presidenti.
Por, sipas tij, diskutimet për këtë çështje nuk u mbyllën në darkën informale. “Në zyrën time Kryeministri më konfirmoj se: “megjithëse maxhoranca i ka votat në Parlament për të bërë ndryshimin e ligjit, ajo nuk do ta bënte atë pa konsensusin dhe dakordësinë e Presidentit”. Vetën dy ditë pas kësaj bisede, shoh i surprizuar që Komisioni i Ligjeve me shpejtësinë e natës miraton ndryshimet dhe ia përcjell ato seancës që natyrisht vijoi të njëjtin proces”-, vijon më tej kreu i shtetit. I pyetur për ndryshimet e fundit në ligjin e shërbimit të jashtëm, Presidenti shprehet se shumica kërkon ta trajtojë institucionin që ai drejton si një noter të qeverisë. Nishani ashpërson gjuhën kur thotë se ata që duan ta shohin Presidencën si drejtori të administratës, vetëm sa i nxijnë faqen vendit. Kreu i shtetit komenton gjithashtu aksionin për shkatërrimin e grupit të kokainës. “Është për t’u vlerësuar puna dhe angazhimi për të pastruar hartën e kultivimit të kanabisit, por nëse kjo zëvendësohet nga prodhimi i drogave të forta, kjo është e rrezikshme. Shqipëria nuk ka qenë kurrë vend origjine për trafikimin e drogave të forta”, shprehet Nishani.
Në cilësinë edhe të Komandantit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, ai shpreh shqetësimin për uljen e buxhetit për Ushtrinë, me gjithë angazhimin e marrë në Samitin e Uellsit. “Sot që ne diskutojmë edhe më fuqishëm se më parë në lidhje me luftën kundër terrorizmit dhe rritjes së nivelit të sigurisë si vend anëtar i NATO-s, jo vetëm që nuk kemi mbajtur premtimin e bërë në Samitin e NATO-s në Uells, por buxheti i Mbrojtjes për këtë vit është parashikuar vetëm 0.83% e prodhimit të brendshëm bruto dhe në 2015-n jemi në nivelin më të ulët të mundshëm të financimit në fushën e Mbrojtjes dhe 2.5 herë më pak se në vitin 2009, kur Shqipëria u bë anëtare e NATO-s”, vijon Presidenti.