Nishani: Partitë të largojnë elementët kriminalë
Presidenti Bujar Nishani i ka drejtuar një apel partive politike që të largojnë çdo element kriminal për të ndërtuar një të ardhme sa më të mirë.
Në një aktivitet për 24 vjetorin e marrëdhënieve shqiptaro-amerikane, Kreu i Shtetit tha se krimi dhe korrupsioni nuk duhet të gjej vend në një shoqëri demokratike.
“Kanosja e krimit dhe korrupsionit nuk duhet të gjej vend në një shoqëri demokratike si duam ta ndërtojmë ne. Duke iu referuar marrëveshjes së fundit mes palëve, partitë duhet largojnë pa ekuivok individët e përfshirën në veprimtari kriminale, të vendosin një barrierë që këta elementë të mos jenë pjesë e Kuvendit apo Adiminstratës.
Këta njerëz duhet të përballen vetëm më ligjin. I bëj thirrje drejtësisë të mos bjerë pre e presioneve dhe favoreve nga këta elementë.
Shqiptarët e duan lirinë dhe një jetë më të mirë, ne nuk duhet ta dështojmë demokracinë, ne duhet ta ndihmojmë atë të rritet sipas modelit perëndimor. Ne duhet të mbrojmë të ardhmen e brezave të rinj të shqiptarëve”, tha Nishani.
Duke sjellë në kujtesë shembjen e regjimit komunist, Nishani deklaroi se nëse me atë rrëzim ikën tiranët e diktaturës, sfida e sotme e vendit është shembja e bunkerëve të krimit dhe korrupsionit.
“Çerek shekulli pas rënies së perdes së hekurt shqiptarët larguan tiranët e diktaturës, shembëm bunkered, sfida jonë sot është të shembim bunkerët e krimit dhe korrupsionit, bunkerët e rinj, që vendosen kundër popullit dhe kundër partnerëve strategjikë, i bëj apel klasës politik e të gjithë shoqërisë se kanosja e krimit dhe korrupsionit nuk duhet të gjej vend e jo më strehim në shoqërinë e lirë e demokratike si duam ta shndërrojnë ne vendin” , theksoi Nishani.
Në fjalën e tij Presidenti e vlerësoi SHBA-në, partnerin më të ngushtë strategjik dhe vendin më të dashur për shqiptarët.
Ai vuri në dukje se ndjenjat e thella të mirënjohjes ndaj SHBA-së janë të vërteta dhe të sinqerta.
“Rivendosja e marrëdhënieve me SHBA-në në vitin 1991 përbënte një ngjarje historike për shqiptarët. Mirënjohja ndaj mbështetjes që SHBA dhanë në rivendosjen e sistemit demokratik në Shqipëri shprehet më së miri në imazhin më spektakolar të pritjess madhështore që iu bë sekretarit të Shtetit James Beker, në vitin 1991″, u shpreh Nishani.