Nishani: Politika po bën presion dhe po korrupton anëtarët e KLD
Sistemi gjyqësor në Shqipëri vuan nga presioni i politikës. Deklarata është bërë nga Presidenti i Shqipërisë dhe njëherësh edhe kreu i Këshillit të Lartë të Drejtësisë Bujar Nishani.
Në një intervistë për Zërin e Amerikës, Nishani tha se është në dijeni që ka presione nga ana e politikës në drejtim të gjyqësorit. Jo vetëm kaq por sipas Nishanit politika po ushtron presion madje edhe po korrupton anëtërët e institucionit që ai vetë drejton, Këshillit të Lartë të Drejtësisë.
Në këtë kuadër Nishani tha se
“Ashtu është. Ne duhet të largohemi nga retorika dhe kemi nevojë për reforma, veçanërisht të gjyqësorit. Presioni i politikës mbi gjyqësorin është prezent. Ne duhet të veprojmë për të larguar njerëzit e politikës nga sistemi i gjyqësorit, për ta bërë një instrument në shërbim të qytetarëve. Pa këtë reformë çdo veprim tjetër mbetet retorikë. Presionet politike ende janë prezente, përmes korruptimit të anëtarëve të KLD , pushteti ka se çfarë ofron në këmbim të favoreve, ndaj i kërkoj anëtarëve të KLD mos ndikohen” tha Nishani
Në lidhje me dekriminalizimin, kreu i Shtetit tha se është e turpshme që pas kaq vitesh demokraci të flitet për të. Ai apeloi të nxirren jashtë administratës dhe partlamentit individët me rekorde kriminale.
“Na bën me turp që të gjithëve, nuk mund të diskutonim pas kaq vitesh demokraci për dekriminalizimin, është një çështje që kërkon reflektim. Duhet korrigjuar nga vendimmarrësit. Të nxirren jashtë njerëzit me rekorde kriminale, kjo është e papranueshme për imazhin e Shqipërisë”. tha ai
Një tjetër pakënaqësi e Nishanit ishte edhe hapat që janë bërë për të përfshirë në aktivitete diasporën shqiptre.
“Jam i pakënaqur për sa bëri Shqipëria për ta bërë më aktive diasporën shqiptare. Edhe në përparimin e mëtejshëm të institucioneve në Shqipëri.” tha ai